RRETH NESH

Me një vizion dhe strategji moderne, Shërbimi Informativ i Shtetit garanton sigurinë e vendit dhe mbron interesat kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.

Logo

Emblema e SHISH

Emblema është kompozuar në gjininë e medaljonit, në formë klasike rrethore, me sfond gri të argjendtë dhe me refleks e rrethuar me një kordon dyngjyrësh blu dhe gri e argjendtë.

Shërbimi Informativ i Shtetit

Është institucion qendror në Republikën e Shqipërisë dhe instrument i rëndësishëm i arkitekturës së sigurisë së vendit, i ngarkuar për sigurimin dhe prodhimin e inteligjencës nga brenda dhe jashtë vendit kundër kërcënimeve të terrorit, spiunazhit, rendit kushtetues dhe krimit të organizuar.

Për ne Atdheu është i pari.
Ne punojmë çdo ditë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt.

Misioni

Mbrojtja e sigurisë kombëtare, nëpërmjet instrumenteve të inteligjencës, përtej fakteve dhe opinioneve të disponueshme publikisht, çfarë na mundëson të vlerësojmë dhe parashikojmë prapaskenat, të hedhim dritë mbi sfondin dhe të ofrojmë një pamje objektive të kërcënimeve dhe rreziqeve të pranishme dhe atyre potencialisht të mundshme, për të parandaluar dhe ndërprerë çdo aktivitet që cënon interesat kombëtare të Republikës së Shqipërisë

Vizioni

Ofrimi i produkteve të inteligjencës për institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese, përmes integrimit të teknologjisë bashkëkohore dhe ekspertizës, në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të sigurisë kombëtare dhe interesave strategjike të Republikës së Shqipërisë.

Drejtori i SHISH

Vlora Hyseni

Drejtor i SHISH

Vlora Hyseni është drejtori i 11 i Shërbimit Informativ të Shtetit, emëruar në detyrë me dekretin e Presidentit të Republikës, Nr. 51, datë 3.4.2023.

"Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë dhe bëjmë më të mirën për sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve."
Vlora Hyseni,
Drejtor i SHISH

Drejtor i Shërbimit Informativ të Shtetit

Drejtori i SHISH-it informon dhe raporton te Presidenti i Republikës dhe Kryeministri për probleme që lidhen me sigurimin kombëtar; përgjigjet për mbledhjen, analizimin dhe shpërndarjen e informacionit, i cili duhet të jetë objektiv dhe i pavarur nga konsideratat politike dhe mbron metodat dhe burimet e informacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara.

Zëvendësdrejtor i Shërbimit Informativ të Shtetit

Zëvendësdrejtori i SHISH-it zëvendëson Drejtorin për kryerjen e detyrave. Me urdhër të Drejtorit të SHISH-it, Zëvendësdrejtorit i caktohen edhe detyra të tjera.

Inspektor i Përgjithshëm i Shërbimit Informativ të Shtetit

Inspektori i Përgjithshëm i SHISH emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Inspektori i Përgjithshëm i raporton drejtpërsëdrejti Kryeministrit dhe është në varësi të Drejtorit të SHISH.

Fushat e veprimit

Terrorizmi dhe Ekstremizmi

SHISH orienton veprimtarinë në funksion të parandalimit dhe kundërvënies ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit, pavarësisht prejardhjes ideologjike, politike, fetare apo kombëtare, për të mbrojtur qytetarët nga dhuna, kërcënimet dhe rrezikimi i të drejtave kushtetuese.

Inteligjenca e huaj

Mbrojtja e interesave kombëtare ndaj kërcënimit që vjen si rezultat i aktivitetit të shërbimeve jo miqësore të inteligjencës në të gjitha format që shprehet apo shfaqet.

Stabiliteti i brendshëm dhe rajonal

SHISH angazhohet për identifikimin dhe analizimin e proceseve të rëndësishme politike dhe të sigurisë në rajon që mund të ndikojnë në sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe asaj kolektive, në zbatim të detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare (NATO, BE etj.).

Siguria kibernetike

Natyra hibride e kërcënimeve që shfaqet dhe nëpërmjet aktorëve të financuar nga shtete, entitete apo agjenci të huaja të inteligjencës përmes sulmeve kibernetike përfshin SHISH në organizimin e instrumentave për të parandaluar dhe minimizuar efektet negative ndaj infrastrukturës së rrjeteve elektronike dhe sistemeve digjitale në vend.

Krimi i organizuar

Krimi i organizuar përbën një kërcënim për qytetarët, ligjin, biznesin e ligjshëm dhe autoritetet shtetërore në Shqipëri dhe SHISH mbledh informacione për grupet kriminale vendase dhe të huaja, pasi krimi i organizuar evoluon dhe specializohet në aktivitete specifike kriminale.

Korrupsioni

Korrupsioni në administratën publike, institucionet dhe organet shtetërore, kompanitë shtetërore dhe publike, kërcënon funksionimin e tregut, rritjen ekonomike, ul të ardhurat nga taksat, ndikon negativisht në buxhet dhe krijon pasiguri dhe humbje të besimit te institucionet shtetërore e sistemi demokratik.

Siguria ekonomike

Sipas Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, siguria ekonomike është një element thelbësor, që ndikon në sovranitetin, mbrojtjen e burimeve kombëtare dhe sektorët strategjikë, standardin e jetesës dhe stabilitetin politik dhe social.

Siguria energjetike

Burimet e energjisë janë në fokus të SHISH pasi përdoren si mjet për arritjen e qëllimeve të politikës së jashtme, duke e bërë sigurinë energjetike të vendit një çështje të rëndësishme dhe pjesë integrale të sigurisë kombëtare.

Sfidat globale

Zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajone të ndryshme të botës në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndikojnë në mjedisin e sigurisë të vendit dhe paraqesin një sfidë për shërbimet e inteligjencës.

Mbrojtja e veprimtarisë së SHISH

SHISH ka për detyrim mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, burimeve të informacionit, formave dhe metodave të punës, punonjësve dhe kapaciteteve të tjera që shërbejnë në funksionalitetin e tij.

Kontrolli dhe verifikimi i figurës

Është një instrument parandalues, i cili shërben për të rritur sigurinë e vetë institucionit dhe për të kontribuar në vlerësimin dhe verifikimin e kushteve të sigurisë së punonjësve në administratën shtetërore dhe sektorin privat.

Themeli i vlerave

PROFESIONALIZËM

Ne i shërbejmë popullit shqiptar duke u fokusuar tek aspektet më të rëndësishme duke siguruar që kapacitetet tona të shfrytëzohen për të mirën e kombit, përmes identifikimit, afrimit dhe zhvillimit të talenteve

GUXIM

Duke marrë parasysh rreziqet e veprimtarisë sonë ne kërkojmë dhe ndjekim mundësi të reja duke parashikuar dhe nxitur ndryshimin

RESPEKT

Ruajmë një raport të drejtë midis nevojës për informacion dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut duke vlerësuar kontributin e gjithsecilit për sigurinë kombëtare

INTEGRITET

Ne e vendosim misionin përpara suksesit individual duke bërë atë që duhet në mënyrë objektive dhe të paanshme