Qendra e Trajnimit

Edukimi dhe trajnimi i punonjësve është një përparësi e rëndësishme për SHISH-in.
Këto programe zbatohen brenda SHISH-it, por edhe në bashkëpunim me institucione të tjera akademike apo ente shtetërore. Ekzistojnë edhe programe trajnimi që zhvillohen jashtë vendit, gjithnjë në përputhje me fushën e veprimtarisë së SHISH-it.
Aftësia për të kuptuar thelbin e inteligjencës, është fryt i përvojës dhe rritjes së vazhdueshme profesionale. Është e nevojshme t’u qëndrosh besnik fakteve e jo interpretimit të tyre, sepse informacionet e dhëna mund të ndikojnë mbi zgjedhjet e një vendim-marrësi politik.
Prandaj, SHISH-i i kushton një vëmendje të veçantë trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm të punonjësve të tij.
Në marrëdhëniet me universitetet, SHISH-i ka vendosur si objektiv thithjen e energjive të reja, të kualifikuara dhe të virtytshme, të përgatitura dhe të ndërgjegjësuara, për t’u bërë pjesë e komunitetit tonë. Për t’u përballur me sfidat e kohës, nevojitet bashkëpunim dhe ndërtimi i një aleance strategjike midis komunitetit të inteligjencës dhe botës akademike.

SHISH, i kushton një vëmendje të veçantë trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm të punonjësve të tij. Ekuilibri, profesionalizmi dhe udhëzimet e lidershipit orientojnë veprimin tonë.

Ligji nr. 9357 datë 17.03.2005 “Për Statusin e Punonjësit të SHISH”, përcakton në nenin 13/e, se ndër detyrat kryesore të punonjësit të SHISH është rritja e aftësive profesionale të tij dhe marrja pjesë në veprimtari trajnuese. Gjithashtu, neni 30/c përcakton se, punonjësi i SHISH-it ka të drejtë të trajnohet, të kualifikohet dhe të ndjekë studimet, brenda e jashtë vendit, me leje të Drejtorit.

SHISH ka qendrën e tij të trajnimeve. Qendra e Trajnimit të SHISH është krijuar me VKM Nr. 410, datë 15.09.1992, “Për krijimin e Institutit të Shërbimit Informativ Kombëtar”.

Veprimtaria e saj normohet nga VKM Nr. 1400, datë 17.10.2008, “Për organizimin e kurseve në SHISH dhe trajnimin e pjesëmarrësve”, i ndryshuar me VKM Nr. 474, datë 25.07.2012, e cila përcakton se: “Në Institutin e Shërbimit Informativ të Shtetit (Instituti i SHISH) të organizohen kurse, për përgatitjen informative e formimin bazë profesional, si dhe kurse kualifikimi dhe specializimi të punonjësve të SHISH-it, në funksion të sigurisë kombëtare. Lloji dhe kohëzgjatja e kurseve përcaktohen me urdhër të drejtorit të SHISH-it.”.

Misioni i Qendrës së Trajnimit përfshin:

• Përgatitjen profesionale dhe formimin bazë të punonjësve të rinj të SHISH.

• Kualifikimin profesional dhe specializimin e vazhdueshëm të punonjësve në detyrë të SHISH.

• Përhapjen e eksperiencave dhe teknikave të reja profesionale me qëllim rritjen e efikasitetit përkundrejt kërcënimeve “të reja”, veçanërisht ato që rëndojnë mbi sistemin ekonomiko-financiar, cyber-space dhe infrastrukturat e tjera kritike. Për këtë qëllim bashkëpunohet edhe me organizatat homologe jashtë vendit.

Qendra e Trajnimit të SHISH, i shërben të gjithë komunitetit të inteligjencës dhe sigurisë në vendin tonë, duke ju ofruar trajnime në fushën e inteligjencës edhe punonjësve të:

• AISM (Ministria e Mbrojtjes)

• SHÇBA (Ministria e Brendshme)

• SHKBB (Ministria e Drejtësisë)

Qendra e Trajnimit, me qëllim përhapjen dhe promovimin e kulturës së sigurisë, bashkëpunon edhe me institucionet e tjera të administratës publike dhe të arsimit në vend.