GJENDJA POLITIKE DHE E SIGURISË NË RAJON - 2019

VËSHTRIM I PËRGJITHSHËM

Ballkani Perëndimor vijon të përballet me një sërë kërcënimesh të përbashkëta si:
• Zhvillime të brendshme të brishta politike
• Aktivitete influencuese nga aktorë gjeopolitikë e rajonalë për të dëmtuar, ngadalësuar apo bllokuar proceset integruese euro-atlantike
• Retorikë nacionaliste ekstreme
• Faktorë të brendshëm që mundësoj-në radikalizmin dhe tendenca të ekstremizmit të dhunshëm
• Krim i organizuar me lidhje rajonale e më gjerë
• Korrupsioni
• Qeverisja e dobët
• Situata e vështirë ekonomike

Të gjithë këta faktorë ndikojnë në paqëndrueshmërinë sociale dhe pengojnë ecurinë e reformave demokratike.
Aktorët globalë, kundërshtarë të orientimit properëndimor të vendeve të rajonit, përmes aktiviteteve të inteligjencës dhe atyre hibride, synojnë të dëmtojnë proceset integruese, influencojnë vendimmarrje mbi zhvillime politike të rëndësishme dhe të përçajnë vendimmarrjet kombëtare në raport me organizmat ndër-kombëtare. Ata shfrytëzojnë problematika të bartura ndërshtetërore, nxisin nacionalizma dhe ekstremizma për të krijuar avantazhe gjeo-ekonomike me synime afatgjata politike.

Spikatin si problematika konkrete:
• Zhvillimet e brishta politike dhe të sigurisë në rajon, retorikë e shtuar nacionaliste dhe qëndrime refraktare.
• Mungesa e përparimit në dialogun Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së.
• Instrumentalizim i pakicave me synim ruajtjen e statuskuosë dhe nxjerrjen e përfitimeve politike.
• Përfshirja në afera korruptive e elitave politike.
• Çështjet e pazgjidhura në marrëdhëniet ndërshtetërore me ndikim në retorikën nacionaliste ekstreme, aktivitetet e lëvizjeve politike, shoqatave dhe asociacioneve me agjenda nacionaliste ekstreme dhe presione ndaj maxhorancave qeverisëse.
• Krimi i organizuar si kërcënim për rajonin, i cili mbetet rrugë tranzite, për grupet shumë-etnike dhe me lidhje ndërkombëtare. Individë e grupe nga diasporat ballkanike janë shndërruar në ura lidhëse mes krimit të organizuar rajonal me atë ndërkombëtar.
• Emigracioni i paligjshëm. Synon përdorimin e rajonit si tranzit drejt BE-së. Grupet që merren me trafikimin e qenieve njerëzore kanë shtuar aktivitetin, duke përfituar nga gjendja në kampet e pritjes, kapacitetet e reduktuara, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara, bashkëpunimi me elementë kriminalë dhe rrjete të trafikut njerëzor, shfrytëzimi i pikave të dobëta në kufirin e gjelbër.
• Trafiku i armëve të zjarrit, municioneve luftarake apo mallrave me përdorim të dyfishtë mbetet karakteristikë e veprimtarive kriminale për përfitime financiare. Vërehet rritje e interesit nga individë dhe grupime kriminale për armë të sofistikuara, për interesa kriminale.
• Situata ekonomiko-sociale e vështirë dhe e shoqëruar me problematika të shumta, pavarësisht përpjekjeve të qeverive për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Niveli i lartë i korrupsionit, informaliteti, papunësia, minojnë besueshmërinë e publikut te institucionet dhe reformat. Efektet e reformave ekonomike nuk janë të prekshme nga publiku.

Spikatin si zhvillime pozitive dhe dëshmi të forta të dështimit të përpjekjeve të aktorëve globalë dhe lokalë me agjenda nacionaliste për të penguar proceset euroatlantike:
• Marrëveshja e Prespës
• Anëtarësimi i Malit të i Zi në NATO
• Anëtarësimi i pritshëm i Maqedonisë së Veriut në NATO

TERRORIZMI

Terrorizmi vijon të përbëjë kërcënim për sigurinë në planin lokal, rajonal dhe global.
ISIL/DAESH, Al-Qaeda dhe grupe të lidhura me to do të vijojnë të përbëjnë kërcënimin kryesor për sigurinë ndërkombëtare. ISIL / DAESH, edhe pse ka humbur shtetin e vetë-shpallur islamik, një sërë komanduesish dhe operativësh të lartë dhe reduktuar ndjeshëm burimet njerëzore luftarake, vlerësohet me kapacitete kërcënuese për sigurinë ndërkombëtare.
Organizata vlerësohet në fazë tranzicioni, mbetet e fokusuar në mbi-jetesën, riorganizimin, mbajtjen e moralit të mbështetësve, duke argumentuar humbjet si të përkohshme.
Vlerësojmë se mbetet e aftë financiarisht për të mbuluar shpenzimet operacionale për aktivitete terroriste. Organizata vijon thirrjet për akte terroriste, pa shumë shpenzime financiare, por me impakt, kryesisht për audiencën e saj online.
Aktiviteti terrorist nga hapësira digjitale dhe rrjetet sociale duket se do jenë Modus operandi më i mundshëm i organizatës për nxitje, koordinim e mbështetje për akte terroriste do të jetë përdorimi i hapësirës digjitale dhe rrjeteve sociale. ISIL / DAESH do të vazhdojë të përfitojë nga aktet e dhunës të terroristëve vendas, të kthyerve dhe individëve të radikalizuar, që veprojnë si aktorë të vetmuar apo si pjesë e qelizave të fjetura, për të rritur propagandën dhe për të radikalizuar e rekrutuar të tjerë.
Humbja e territoreve nga ISIL/DAESH, i jep kështu Al-Qaedës mundësi për të rifituar statusin e mëparshëm si lider i lëvizjes globale xhihadiste terroriste. Pavarësisht diferencave ideologjike dhe rivalitetit për dominim, pragmatizmi në bashkëpunim mes tyre me gjasë do të rritë nivelin e kërcënimit

KËRCËNIMI TERRORIST NË RAJON DHE NË VENDIN TONË

Në rajon dhe vendin tonë nuk ka pasur akte terroriste. Përforcimi i masave kundër terrorizëm, reformat ligjore, implementimi i strategjive kundër ekstremizmit të dhunshëm, fokusi i shtuar i agjencive ligjzbatuese, rritja e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, kanë dhënë efekte parandaluese. Të dyja organizatat terroriste të mësipërme vijojnë të shënjestrojnë rajonin nëpërmjet propagandës, thirrjeve e nxitjes së mbështetësve për akte terrori.
Influencat e jashtme dhe faktorë të brendshëm për radikalizim drejt ekstremizmit të dhunshëm vijojnë të jenë të pranishme, por në nivele të reduktuara.
Prezenca e luftëtarëve të huaj terroristë nga rajoni në organizatat terroriste në zonat e konfliktit, përbën kërcënim afatgjatë për sigurinë. Raportimet e vrasjeve të figurave të rëndësishme të LHT-ve shqipfolës nga rajoni dhe vendi ynë, aktivë në koordinimin dhe nxitjen e kontakteve të vjetra për akte terroriste, arrestimi, gjykimi dhe dënimi i nxitësve dhe rekrutuesve të lidhur me organizatat terroriste, ka sjellë ulje të thirrjeve konkrete për akte terroriste. Vlerësojmë se nuk përjashtohet aktivizimi i të tjerëve apo lidhjeve të tyre në diasporë dhe në rajon.
Gjendja e familjarëve të LHT-ve paraqitet e rënduar. Mes tyre ka kërkesa për riatdhesime në vendet e origjinës. Shumica ndodhet në kampet në Siri, në kushte të vështira, dhe kërkojnë nga familjarët e tyre ndihma financiare dhe gjetjen e rrugëve për kthim në vendet e origjinës. Kosova është ndër vendet e para të rajonit që realizoi riatdhesimin e një numri familjarësh, shumica gra dhe fëmijë, që po trajtohen rast pas rasti dhe u janë nënshtruar programeve deradikalizuese e riintegruese. Vende të tjera po shohin mundësitë e riatdhesimit të të kapurve në kampet kurde dhe trajtimit të tyre rast pas rasti sipas legjislacionit.
Kthimi i gjithë familjarëve të LHT-ve në vendet e rajonit do të kërkojë angazhime konkrete në programe specifike deradikalizimi dhe riintegrimi. Përcaktimet ligjore mundësojnë trajtimin e selektuar. Do të nevojitet balancim i masave shtrënguese me ato rehabilituese e riintegruese. Vëmendja duhet drejtuar te numri i lartë i fëmijëve, me projekte të veçanta dhe afatgjata për deradikalizimin, integrimin, edukimin me asistencë psikologjike, për të mos u përballur me një gjeneratë të re kontingjent kërcënimi.
Trajtimi i problematikave që lidhen me këtë kategori kërkon një qasje gjithëpërfshirëse aktorësh shtetërorë dhe joshtetërorë.

(Pjesë nga Raporti Vjetor 2019)