GJENDJA E SIGURISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË PËR VITIN 2019

KRIMI I ORGANIZUAR

Krimi i organizuar në vend, me lidhje rajonale e ndërkombëtare, ka adoptuar mënyrat e veprimit në raport me forcën kundërvënëse të agjencive të zbatimit të ligjit. Format e krimit të organizuar, më të preferuara për grupet shqiptare, vijojnë të mbeten trafiku i drogave, trafiqet e tjera të paligjshme, krimet ekonomiko-financiare, kontrabanda dhe aktivitetet e paligjshme ndërkufitare. Deri tani, nuk janë evidentuar raste në të cilat individë apo grupe të krimit të organizuar të veprojnë për llogari të organizatave terroriste apo të mbështesin aktivitete të kësaj natyre. Emëruesi i përbashkët për të gjitha grupet e rrjetet e krimit të organizuar mbetet pastrimi i parave dhe korrupsioni, me qëllim forcimin e lidhjes mes strukturave të paligjshme me ato të ligjshme.
Ndër format mbizotëruese të krimit të organizuar mbetet trafiku i drogës dhe përfshirja në drogat e forta.

Ky aktivitet nxitet dhe favorizohet nga:
1. Pozicionimi i elementëve kriminalë shqiptarë në vendet e origjinës së prodhimit të drogës, në pikat kyçe të shpërndarjes apo trafikimit të saj, pjesë e një zinxhiri për kontrollin e gjithë procesit, nga origjina në destinacion.
2. Kërkesat në rritje të rrjeteve të trafikut të drogave të forta, përfshi rrjetet shqiptare, të vendosura në qendra të mëdha të vendeve të Evropës Perëndimore dhe në vendet e origjinës.
3. Kërkesat e grupeve kriminale për kanabis sativa të kultivuar në Shqipëri.
4. Fleksibiliteti dhe adoptueshmëria e lartë, “korrektesa” në marrëdhëniet me grupet e individët furnitorë të drogës.
5. Të ardhurat financiare të gjeneruara nga aktiviteti kriminal ndër vite.

Vlerat monetare dhe pasuria e përfituar nga veprimtaria kriminale ndër vite (favorizuar nga korrupsioni në sistemin e drejtësisë, pandëshkueshmëria apo niveli i ulët i saj), po përdoren nga këto grupe për zgjerimin e aktivitetit të narkotrafikut jashtë vendit, kryesisht në drejtim të drogave të forta. Individët kriminalë që i kanë shpëtuar ndëshkimit janë vendosur në vende të huaja dhe prej andej shërbejnë si ura lidhëse të trafikut me elementë kriminalë brenda vendit. Përveçse në vendet evropiane, janë aktivë edhe në vendet e origjinës së kokainës e heroinës, ku bashkëpunojnë me elementë kriminalë lokalë.
Kultivimi i kanabisit në vend, krahasuar me vitet e mëparshme, është reduktuar si rezultat i masave të forta kundër fenomenit, bashkëpunimit të thelluar mes agjencive të zbatimit të ligjit, ngritjes dhe funksionimit të Task Forcave qendrore dhe lokale. Gjatë kësaj periudhe, është evidentuar ndryshimi i mënyrës së veprimit, që ka rezultuar në kultivim në sipërfaqe të vogla, të shpërndara gjeografikisht. Vërehet zhvendosje e aktivitetit të kultivimit në ambiente të mbyllura në vend, vendet fqinje dhe ato evropiane. Ndërkohë ka vijuar trafiku i kanabisit dhe është rritur bashkëpunimi me grupe e individë kriminalë në vendet e rajonit.
Linjat më të përdorura për trafikimin e kanabisit mbeten ato tokësore, detare por edhe ujore. Evidentohen raste të shkëmbimit të kanabisit me droga të forta, si heroinë dhe kokainë. Evidentohet rritje e shkallës së konfliktualitetit dhe rivalitetit dhe përfshirje në disa aktivitete kriminale si pastrim i parave, lehtësim i emigracionit të jashtëligjshëm, gjobëvënie, etj. Për larje hesapesh, grupet kriminale përdorin edhe vrasës profesionistë me pagesë.
Grupet kriminale paraqiten me organizim fluid, pragmatikë, të përfshirë në disa aktivitete të jashtëligjshme dhe me lidhje që mundësojnë ciklin e trafikut të drogës, duke filluar nga blerja në vendet prodhuese, trafikimi, shpërndarja dhe aftësia kundërvepruese për të eliminuar rreziqet. Përdorin identitete të ndryshme dhe disponojnë pasaporta origjinale ose false, nga disa vende evropiane.
Parandalimi dhe goditja e këtij aktiviteti kriminal është shoqëruar edhe me evidentim dhe sekuestrim të pasurive e parave të gjeneruara ndër vite nga ky aktivitet.

KRIMET NË EKONOMI

Krimet në ekonomi mbeten faktor me rrezikshmëri të lartë për rritjen e qëndrueshme ekonomike, besueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit financiar e atij ekonomik në vend. Përshpejtimi i globalizimit ekonomik, mbështetur në tregjet financiare globale dhe strategjitë e tregut të lirë, e kanë pakësuar rëndësinë e kufijve dhe kanë krijuar mundësi të reja për krimin ekonomik.
Ndër aktivitetet më të përhapura të krimeve në ekonomi evidentohen mashtrimet në fushën e taksave dhe doganave, hartimi i faturave fiktive të shit-blerjes, krijimi i operatorëve ekonomikë fiktivë, kontrabanda e mallrave të akcizës, pastrimi i parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Faktorë favorizues evidentohen korrupsioni dhe niveli i informalitetit në ekonomi. Pavarësisht përpjekjeve serioze për reduktimin e informalitetit nëpërmjet modernizmit të shërbimeve dhe rritjes së ndëshkueshmërisë, mbetet problematikë shqetësuese, që vështirëson procesin e identifikimit të të ardhurave me origjinë të paligjshme dhe sekuestrimin apo konfiskimin e tyre.
Në vendin tonë, një sasi e konsiderueshme e parave “të pista” e ka origjinën nga aktiviteti kriminal ndër vite i individëve dhe grupeve të përfshira. Të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme janë investuar në vijimin e aktiviteteve kriminale, si dhe në biznese të ligjshme.
Sektorët mbizotërues për pastrimin e parave mbeten biznesi i ndërtimit, pasuritë e paluajtshme, hoteleri-turizmi, etj. Zonat bregdetare e ato urbane mbeten më tërheqëset, pasi ofrojnë potencial për kthimin shumëfish të investimit fillestar.

KORRUPSIONI

Korrupsioni (por edhe perceptimi mbi nivelin e tij) minon besimin e publikut te qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, cenon zhvillimin e vendit, forcimin e institucioneve, rritjen e qëndrueshme ekonomike, mbetet faktor me rrezikshmëri të lartë që ngadalëson dhe dëmton procesin e reformave për arritjen e standardeve drejt integrimit evropian, si dhe dekurajon investimet e brendshme e të huaja, të nevojshme për të krijuar mundësi punësimi për të gjithë.
Megjithë hapat pozitivë në luftën kundër korrupsionit, fokusit të shtuar të shtetit në kuadër të reformave dhe nismave konkrete në këtë drejtim, kjo dukuri vijon të shfaqet problematike në sistemin e drejtësisë dhe disa segmente të administratës publike.
Për shkak të masave të shtuara kundër korrupsionit dhe reformës në drejtësi, elementë të sistemit të drejtësisë shfaqin kujdes të shtuar për të shmangur ekspozimin dhe lidhjet me elementë të besuar me akses direkt në Veting, si dhe dëshirë për të dëshmuar performancë në proceset gjyqësore të drejtuara prej tyre, përmes formulimit të akuzave, zvarritjes së procedurave apo dhënies së vendimeve maksimale të parashikuara në ligj.
SHISH-i jep kontribut konkret në këtë drejtim për përfshirje të mundshme të elementëve të këtij sistemi në afera korruptive dhe në kuadër të Vetingut në drejtësi dhe Policinë e Shtetit.


KRIMET NË EKONOMI, KËRCËNIMI KIBERNETIK DHE SIGURIA ENERGJETIKE

KRIMET NË EKONOMI

Krimet në ekonomi mbeten faktor me rrezikshmëri të lartë për rritjen e qëndrueshme ekonomike, besueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit financiar e atij ekonomik në vend. Përshpejtimi i globalizimit ekonomik, mbështetur në tregjet financiare globale dhe strategjitë e tregut të lirë, e kanë pakësuar rëndësinë e kufijve dhe kanë krijuar mundësi të reja për krimin ekonomik.
Ndër aktivitetet më të përhapura të krimeve në ekonomi evidentohen mashtrimet në fushën e taksave dhe doganave, hartimi i faturave fiktive të shit-blerjes, krijimi i operatorëve ekonomikë fiktivë, kontrabanda e mallrave të akcizës, pastrimi i parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Faktorë favorizues evidentohen korrupsioni dhe niveli i informalitetit në ekonomi. Pavarësisht përpjekjeve serioze për reduktimin e informalitetit nëpërmjet modernizimit të shërbimeve dhe rritjes së ndëshkueshmërisë, mbetet problematikë shqetësuese, që vështirëson procesin e identifikimit të të ardhurave me origjinë të paligjshme dhe sekuestrimin apo konfiskimin e tyre.
Në vendin tonë, një sasi e konsiderueshme e parave “të pista” e ka origjinën nga aktiviteti kriminal ndër vite i individëve dhe grupeve të përfshira. Të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme janë investuar në vijimin e aktiviteteve kriminale, si dhe në biznese të ligjshme. Sektorët mbizotërues për pastrimin e parave mbeten biznesi i ndërtimit, pasuritë e paluajtshme, hoteleri-turizmi, etj. Zonat bregdetare e ato urbane mbeten më tërheqëset, pasi ofrojnë potencial për kthimin shumëfish të investimit fillestar.

KËRCËNIMI KIBERNETIK

Rritja e aftësive kibernetike e kundërshtarëve tanë nënkupton kërcënim në rritje për sigurinë dhe stabilitetin politik dhe ekonomik. Aktiviteti në rritje në nivel global prek edhe vendin tonë, ku po ndodhin procese digjitalizuese në evoluim të shpejtë të shërbimeve shtetërore dhe joshtetërore. Shtetet kundërshtare dhe shërbimet e tyre të inteligjencës zotërojnë kapacitete kibernetike për operacione në rrjetet kompjuterike, zhvillojnë kapacitete kibernetike ofensive, kryesisht për të mundësuar aktivitetet e spiunazhit dhe grumbullimin e inteligjencës.
Përballë kësaj dukurie, nevojitet ndërgjegjësim për shkallën e rrezikut, nivelin e kërcënimit, metodologjitë e përdorura për të mbrojtur informacionin e klasifikuar, përditësim të procedurave të mbrojtjes në raport me ecurinë e formave dhe metodave të përdorura. Gjithashtu, çdo projekt i ri digjitalizimi shtetëror apo privat duhet të shoqërohet me masa adekuate mbrojtëse. Për të fuqizuar mbrojtjen kibernetike, është rritur shkëmbimi dhe bashkëpunimi në fushën e kibernetikës, investimet në burimet njerëzore, zhvillimi i kapaciteteve teknike, rritje e bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore me ato joshtetërore të fushës.
Trysnia mbi rrjetet e administrimit, ruajtjes e shpërndarjes së informacionit të klasifikuar, si pjesë e infrastrukturës kritike kombëtare, do të rritet me përparimin e teknologjisë së informacionit. Rritja e shpejtësisë, performanca e komunikimit të fshehtë, besueshmëria, do të mundësojnë procese të reja industriale, logjistikë të avancuar, inteligjencë artificiale dhe aplikacione për sigurinë. Kundërshtarë të mundshëm me gjasë do të kërkojnë të shfrytëzojnë këto dobësi.

SIGURIA ENERGJETIKE

Teknologjia e vjetërsuar, ndërvarësia, nevoja për diversifikim të burimeve, janë sfidat reale për garantimin e furnizimit me energji të sektorëve të ekonomisë në vendet e rajonit. Sigurimi i burimeve të tjera alternative është në vëmendjen e qeverive. Diversifikimi i burimeve energjetike dhe minimizimi i varësisë nga importet mbetet prioritet, pasi vendet e rajonit janë të varura nga importi i energjisë për qëllime konsumi të brendshëm dhe, si rrjedhim, janë të ndikuara nga pasojat ekonomike për shkak të çrregullimeve në furnizime. Vendet e rajonit janë rruga e transportit të naftës dhe gazit për në vendet perëndimore. Si konsumatorë, por edhe si pjesë e korridoreve të tranzitit, projektet energjetike rrisin bashkëveprimin e vendeve ballkanike.
Shqipëria ka përmirësuar infrastrukturën ligjore për burimet energjetike, duke miratuar ligje dhe rregullore për energjinë dhe burimet alternative. Strategjia e Sigurisë Kombëtare (2014) i kushton një vëmendje të veçantë sigurisë energjetike. Strategjia Kombëtare e Energjisë (2018) bazohet në kriteret ligjore të BE-së për energjetikën, jep garanci dhe konsolidon më tej projektet dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit.
Shqipëria ka kontribuar në krijimin e kushteve të përshtatshme dhe tregje për energjinë e pastër në vendet e Evropës Juglindore dhe BE-së. Ajo ka mbështetur projektin TAP në kuadrin e aleancave strategjike dhe partneritetit me BE. Projekti TAP (Greqi- Shqipëri-Itali), si një ndër projektet konkurruese të Korridorit Jugor të gazit, do të ndikojë në diversifikimin e energjisë. Vlerësohet si projekt i rëndësisë së veçantë për BE-në, për transportimin e gazit nga Kaspiku në tregun evropian. TAP do të përmirësojë furnizimin dhe sigurinë energjetike në rajon. Projekti në Shqipëri është mirëpritur nga banorët dhe opinioni publik.
Rrjetet energjetike nuk kanë qenë target i organizatave terroriste. Vlerësojmë se mundësia për sulme terroriste kundër infrastrukturës energjetike, mbetet relativisht e ulët. Rreziku për sulme kibernetike nga aktorë shtetërorë kundër infrastrukturës në sektorin energjetik, nuk është i përjashtuar.


RADIKALIZIMI DREJT EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM

Komunitetet zyrtare islame në rajon dhe vendin tonë e kanë dënuar hapur dhunën dhe ekstremizmin në emër të besimit fetar, por vlerësojmë se duhet të bëjnë më shumë në kundërvënien ndaj narrativës së ekstremizmit e terrorizmit, si dhe të edukimit të klerikëve të linjës zyrtare që përfaqësojnë. Përfaqësues e mbështetës të linjave e shkollave radikale, kryesisht nga vende arabe, përpiqen të ndërhyjnë dhe ndikojnë nën mbulesë fetare e humanitare mbi komuniteteve fetare, duke shfrytëzuar nevojat financiare të tyre.
Disa organizata në rajon, të përfshira në aktivitete radikalizmi, janë mbyllur ose pezulluar. Numri i ambienteve private të përdorura si objekte kulti jashtë juridiksionit të komuniteteve fetare, është reduktuar falë masave nga qeveritë dhe komunitetet zyrtare fetare. Implementimi i strategjive kundër ekstremizmit të dhunshëm, mekanizmat e krijuara në zbatim të Planit të Masave referuar këtyre strategjive kanë filluar të japin efektet parandaluese. Të dënuarit për terrorizëm vijojnë të mbajnë profil të lartë dhe me tendenca aktivitetesh radikalizuese ndaj të burgosurve të tjerë. Radikalizimi në burgje mbetet fenomen shqetësues e sfidë afatgjatë, duke mbajtur parasysh kthime të mundshme të Luftëtarëve të Huaj Terroristë (LHT) dhe të familjarëve.

“MODUS OPERANDI” E ORGANIZATAVE TERRORISTE

Nga karakteristikat e evidentuara në synimet apo planet për akte terroriste në rajon dhe vendin tonë, veçojmë:
1. Thirrje, nxitje, koordinim nga LHT në terren të lidhjeve të tyre të vjetra në vendin e origjinës.
2. Aktivizim i ish-LHT të kthyer, kryesisht nga radhët e atyre që vijojnë të mbajnë profil radikal e vijojnë të jenë ndjekës të propagandës e ideologjisë ekstremiste.
3. Aktivizim për mbështetje logjistike të individëve me sfond radikal mbështetës të linjave ekstremiste që deklarojnë ose pretendojnë përkatësi fetare.
4. Udhëzime në rrjetet sociale të komunikimit të sigurt dhe aktivizim online të disa elementëve të nivelit të dytë për nga rrezikshmëria, duke shfrytëzuar mbështetës të ideologjive ekstremiste fetare.
5. Synime/plane për kryerjen e sulmeve përveç shtetit të origjinës, edhe në një shtet tjetër kufitar.

EMIGRACIONI I JASHTËLIGJSHËM

Rruga ballkanike vijon të mbetet linjë e rëndësishme për emigracionin ilegal që shkon drejt Evropës. Në këtë kuadër, Shqipëria vijon të mbetet vend tranzit për kalimin e emigrantëve të paligjshëm. Fluksi i emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë nëpërmjet kufirit të gjelbër, në jug dhe juglindje të Shqipërisë, ka shënuar rritje. Rrjete të trafikut njerëzor po përdorin këtë kontingjent për kalime të paligjshme kundrejt përfitimeve financiare, nga kufiri i gjelbër përgjatë lëvizjes në vende të ndryshme, duke iu mundësuar pajisjen me dokumente false, lehtësi dhe udhëzime për itinerarin.
Vërehet rritje e rasteve të organizimit të emigracionit të paligjshëm nga persona e grupe, që orientojnë emigrantët e paligjshëm nga llogari të ndryshme në rrjetet sociale kundrejt pagesës. Ka të dhëna për favorizim të emigracionit të paligjshëm nga organizata të deklaruara si humanitare, të cilat organizojnë trafikun e klandestinëve nga Turqia drejt Greqisë, Shqipërisë dhe më pas drejt Evropës Perëndimore.
Masat e përforcuara të sigurisë kufitare, bashkëpunimi i suksesshëm me Frontex, kanë lehtësuar monitorimin e fluksit të emigracionit të jashtëligjshëm. Vlerësojmë se, nuk përjashtohet mundësia e shfrytëzimit të kësaj rruge, me dokumente false të siguruara nga krimi i organizuar, për infiltrim operativësh terroristë me synim kalim transit drejt v e n d e v e perëndimore dhe testim të përdorimit të kësaj rruge nga terroristët.
Në një rast, një ish-operativ terrorist i kërkuar nga INTERPOL, u ndalua për hyrje të paligjshme në vendin tonë përmes kufirit të gjelbër me Greqinë. Pavarësisht identiteteve të shumta të përdorura nga operativi, agjencitë ligjzbatuese shqiptare, në bashkëpunim me partnerë rajonalë dhe evropianë, arritën ta identifikonin dhe ndalonin. Ndalimi prej agjencive ligjzbatuese u pasua nga procedurat e ekstradimit.

AKTIVITETI I SHËRBIMEVE TË INTELIGJENCËS ME QËNDRIM JOMIQËSOR

Shërbimet e inteligjencës së shteteve kundërshtare të aleancës euroatlantike, proceseve euro-integruese të rajonit dhe vendit tonë, vijojnë aktivitetin e tyre konstant dhe me tendenca rritje në momente zhvillimesh të rëndësishme që lidhen me proceset integruese por edhe me problematika ndërshtetërore të bartura. Përveç metodave klasike të grumbullimit të inteligjencës, nëpërmjet angazhimit të personelit të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, vërehen tendenca rritjeje dhe ndërthurja e metodave klasike me ato hibride.

ÇFARË JANË AKTIVITETET HIBRIDE?

Aktivitetet hibride në tërësinë e tyre janë një kombinim i metodave të mbyllura me ato të hapura, konvencionale me ato jokonvencionale dhe përfshijnë dezinformim, propagandë, sulme kibernetike, grumbullim informacioni sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes/aksesit në rrjete kompjuterike në format e spiunazhit kibernetik, aktivitete/operacione influencuese informative dhe psikologjike, presion ekonomik. Metodat hibride po zbehin kufijtë mes paqes dhe luftës, shpejtësia, shkalla dhe intensiteti i tyre kanë njohur rritje vitet e fundit. Këto aktivitete po përdoren jo vetëm nga aktorë shtetërorë por edhe nga aktorë jo-shtetërorë që veprojnë si të tretë, për përfitime financiare, me aktivitet të koordinuar apo kryer për llogari të shteteve/shërbimeve të tyre të inteligjencës. Mënyrat e angazhimit variojnë për nga shkalla e përfshirjes, kompleksitetit dhe sofistikimit.
Aktivitetet e natyrës hibride përdoren për synime të caktuara politike/gjeopolitike e gjeoekonomike dhe kanë si objektiv kryesor të shkaktojnë destabilitet në një shtet kundërshtar, varësi politike dhe ekonomike. Kërcënimet e natyrës hibride kanë marrë një dimension tjetër që, për nga shkalla, po zëvendësojë metodat klasike të grumbullimit të inteligjencës, favorizuar nga zhvillimi i teknologjisë së informacionit, kostos më të ulët në krahasim me angazhim agjentësh inteligjence, mundësisë së shpërndarjes për një publik më të gjerë dhe impaktit më të madh.
Shtetet kundërshtare/shërbimet e tyre të inteligjencës identifikojnë dobësitë në fushën diplomatike, politike, sociale, ekonomike, financiare, ushtarake, inteligjencës dhe në infrastrukturën e vendit kundërshtar dhe në përputhje me këto, përgatisin planet për implementimin e aktiviteteve hibride, bazuar në situatën specifike sociale, ekonomike dhe politike të një vendi të caktuar. Aktivitetet e hapura influencuese mund të jenë operacione informative që lidhen me propagandën, dezinformacionin dhe në përgjithësi me ndikimin e publikut në shtetet me interes.

(Pjesë nga Raporti Vjetor 2019)