COVID-19 DHE NDIKIMI MBI SIGURINË GJATË VITIT 2020

Viti 2020 u shenjua nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19 me impakt edhe në çështjet e sigurisë. Kriza e shkaktuar nga COVID-19 sfidoi infrastrukturën shëndetësore ekzistuese mjekësore, përkeqësoi ekonominë globale me ndikim edhe në procesin e globalizimit dhe integrimit politik, stabilitetin politik, duke sjellë fragmentarizim të mëtejshëm dhe dobësim të perceptimit publik mbi efektshmërinë e institucioneve ndërkombëtare, përgjigjen kolektive, besueshmërinë në informacionin shkencor dhe aftësitë e qeverive për të përballuar me efikasitet situatën.
Situata u karakterizua me lulëzim të agjendave populiste e nacionaliste, u shoqërua me një valë propagande dhe dezinformacioni, u shndërrua në një terren të favorshëm për aktorë globalë jo-perëndimorë për të shënjestruar sistemet demokratike dhe ndikuar perceptimin publik mbi to. Situata e pandemisë, me gjasë do të ketë ndikim të fortë dhe të qëndrueshëm në dinamikat gjeopolitike, ekonomike dhe të sigurisë.
Ekonomitë e vendeve të rajonit dhe të vendit tonë u ndikuan nga situata e shkaktuar nga COVID-19. Qeveritë rishikuan buxhetet vjetore dhe morën masa stimuluese për të penguar ngadalësimin e ekonomisë. Një zgjatje në kohë e pandemisë dhe një recesion më i thellë në vendet e Bashkimit Evropian do të mund ta vështirësonin përballimin e krizës ekonomike në zhvillim. Në rajon, pavarësisht prirjeve për investime nga vende jo-perëndimore, BE vijon të jetë kontribuuesi më i madh. Çdo boshllëk në investimet e huaja direkte do të synohet nga aktorë ekonomikë të këtyre vendeve për të zgjeruar influencën. Dhënia e mbështetjes financiare për sektorin privat do vijojë të jetë sfidë dhe mund të shfrytëzohet për investime apo kreditime nga aktorët jo-perëndimorë për synimet e tyre gjeostrategjike.
Kriza e shkaktuar nga COVID-19 dhe problematikat ekonomike, si në shkallë globale dhe në nivel rajonal, ndikuan në rritjen e paqëndrueshmërisë social-politike. Vendet me procese zgjedhore të përcaktuara më parë, u përballen me shtyrje të këtyre proceseve apo me pasiguri e mungesë besimi publik në vendet që realizuan të tilla. Megjithatë, proceset zgjedhore në vendet e rajonit (RMV, Serbi, Mal i Zi) u zhvilluan dhe nuk pati problematika sigurie për funksionimin normal të sistemit politik.
U shtuan akuzat ndaj qeverive dhe elitave keqmenaxhim të situatës, duke i konsideruar ato si shkaktare të panikut ekonomik, kurse kufizimet e masat shtrënguese u perceptuan si kufizime të lirive themelore të njeriut, karakterizuar edhe nga demonstrime të dhunshme, por pa ndikim, në situatën e sigurisë. Në vendet e rajonit, pati prirje të reflektimit të modeleve të demonstrimeve të dhunshme në shumë vende evropiane dhe më gjerë, por jo në të njëjtat përmasa me to. Në shumë raste, në rrjetet sociale dhe mediat online janë bërë thirrje nga individë apo grupe të caktuara për të nxitur e frymëzuar pakënaqësi dhe reagim popullor kundër masave shtrënguese të marra nga qeveritë gjatë situatës së shkaktuar nga pandemia. Pasiguria dhe teoritë konspirative që karakterizuan rrjetet sociale dhe mediat online ndikuan në dobësim të perceptimit publik për një përgjigje kolektive ndërkombëtare e kombëtare të efektshme lidhur me menaxhimin e pandemisë.

SHFRYTËZIMI I SITUATËS SË SHKAKTUAR NGA COVID-19 NGA SHTETE/SHËRBIME TË INTELIGJENCËS KUNDËRSHTARE

Aktorët globalë jo-perëndimorë shfrytëzuan situatën e shkaktuar nga COVID-19 për synimet e tyre gjeostrategjike, forcimin e pozitës së tyre si aktorë ndërkombëtarë, përçarjen e kohezionit në BE/NATO dhe ndërkombëtar, si dhe kanë mbështetur narrativat e njëri-tjetrit në mjedisin informativ sipas synimeve të tyre.
Gjithashtu, përdorën një spektër të gjerë të mjeteve hibride për të ndërmarrë operacione informative përgjatë pandemisë COVID-19, si: ndërmarrja e fushatave mediatike, qarkullimi i lajmeve të rreme, nxitja e shpërndarja e teorive konspirative nëpërmjet medias e rrjeteve sociale, angazhimi i shërbimeve të inteligjencës dhe aktorëve kibernetikë shtetërorë dhe jo-shtetërorë.
Kriza shëndetësore globale u shfrytëzua për të promovuar agjenda përçarëse për t’u faktorizuar në arenën ndërkombëtare dhe për të rritur impaktin e aktiviteteve të tyre influencuese. Aktorët shtetërorë kundërshtarë shfrytëzuan interesin global të medias sociale rreth COVID-19 për të përhapur narrativat përkatëse, propaganduar superioritetin e tyre, në raport me shtetet demokratike, për të shënjestruar sistemet demokratike e për të sjellë argumente të reja që mbështesin pikëpamjet e tyre sipas synimeve përkatëse.
Kjo propagandë përfshiu edhe çdo informacion të gjeneruar nga mediat perëndimore që theksojnë euro-skepticizmin në rritje, si dhe promovuan çdo lajm mbi modelet qeverisëse të tyre si superiore ndaj atyre perëndimore.
Vendet e rajonit u pasqyruan si të dobëta dhe paafta për të menaxhuar situatën, me theks lënien e tyre pa mbështetje nga vendet perëndimore edhe organizmat ndërkombëtare, si NATO-ja dhe BE-ja.

DEZINFORMIMI, KEQINFORMIMI DHE AKTIVITETET INFLUENCUESE

Situata e shkaktuar nga COVID-19 u shoqërua me fushata agresive dezinformimi dhe keqinformimi, të cilat ndikuan negativisht në përgjigjen reaguese dhe perceptimin e publikut mbi rrezikshmërinë reale të pandemisë.
Aktorë shtetërorë jo-perëndimorë dhe ata jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, u angazhuan në fushata dezinformacioni dhe në lidhje me COVID-19, duke rënduar krizën dhe minuar përpjekjet për tejkalimin e saj, përfshi supozime se Perëndimi e ka krijuar virusin, se virusi është një armë biologjike, se BE-ja po dështon në menaxhimin e pandemisë, institucionet euro-atlantike nuk kanë kapacitete reaguese kolektive, se do të shpërbëhen nën këtë presion, etj.
Mediat online dhe rrjetet sociale u bënë përcjellëse te publiku i teorive konspirative dhe raportimeve false. Përveç përdorimit të aseteve të tyre mediatike, apo mediave të financuara e orientuara prej tyre për të drejtuar fushata të shënjestruara dezinformacioni, edhe shpërndarja jo e qëllimtë e informacionit fals dhe teorive konspirative në hapësirën online, ndenja e pasigurisë të publikut dhe nevojës për përgjigje lidhur me COVID-19, i favorizoi për të përhapur narrativat e tyre, propaganduar superioritetin dhe shënjestruar sistemet demokratike si të dështuara.
Në rajon dhe vendin tonë, propaganda dhe dezinformimi përbëjnë një ndër elementët e fushatës hibride që përdorin aktorët jo-perëndimorë në përballjen e tyre gjeopolitike me Perëndimin për arritjen e objektivave strategjike për t’iu kundërvënë dhe penguar proceset integruese euro-atlantike në rajon. Fokusi propagandues në hapësirën online u vu në problematikat historike: keqtrajtimi i supozuar i vendeve të rajonit nga faktori perëndimor, duke pretenduar përdorimin e standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjeve specifike në vendet e Ballkanit Perëndimor; hezitimi i supozuar i Perëndimit për të shpejtuar pranimin në BE të vendeve të BP; dobësitë e brendshme, veçanërisht në vendet pro-perëndimore; përshkrimi i faktorit shqiptar në rajon si kërcënim për rajonin dhe rolin e shqiptarëve si nxitës të politikave nacionaliste për të ashtuquajturën “Shqipëria e Madhe”. Paralelisht me objektivin për të penguar integrimin euro-atlantik, kjo propagandë synoi të promovonte imazhin dhe interesat e tyre, të inkurajonte ndjenjat kundër NATO-s dhe të nxiste tensione ndëretnike me qëllim dobësimin e kohezionit në rajon.
Në morinë e teorive konspirative që karakterizuan situatën në shkallë globale, edhe në vendet e rajonit dhe Shqipëri, pati qarkullim të tyre në rrjetet sociale dhe mediat online, të cilat i përcollën në gjuhët vendase. Një numër teorish konspirative janë shpërndarë nga platforma propaganduese, sociale e mediatike, që reflektuan edhe publikimet në kanalet mediatike shtetërore dhe jo-shtetërore të vendeve jo-perëndimore, të regjistruara në këto vende por edhe jashtë tyre, pa lidhje të qarta shtetërore. Shpërndarja e qëllimtë, por edhe për motive klikimi, nga llogari rrjetesh sociale, patën ndikim në perceptimin e publikut, me impakt në ulje të besueshmërisë për masat kundër COVID-19 dhe rrezikshmërinë reale të pandemisë. Hapësira online e vendeve të rajonit, por edhe vendit tonë, u bë shpërndarëse e këtyre narrativave.
Pandemia e shpejtoi përdorimin e diplomacisë agresive për të promovuar superioritetin e sistemeve politike autoritare. Propaganda që shoqëroi dërgesat dhe asistencën prej tyre në muajt e parë të pandemisë u shoqërua me rritje të propagandës dhe si instrument për të dëshmuar superioritet dhe rivalitet me Perëndimin. Narrativat e tyre shpesh konverguan dhe mbështetën reciprocikisht njëra-tjetrën në synimet e tyre gjeostrategjike. Mediat online dhe rrjetet sociale përcollën në gjuhët e rajonit këto narrativa, propagandën për “menaxhimin efikas të pandemisë”, qasjen e tyre humanitare ndaj vendeve të rajonit, me kujdesje të pasqyrimit të tyre si ndihma humanitare ndaj popujve të rajonit, etj. Platformat online kanë luajtur rolin e shumëfishuesve të propagandës e dezinformacionit, duke bërë të mundur ndërlidhjen e audiencës shqipfolëse me operacionet informative.
Objektivat kryesore të operacioneve informative të këtyre aktorëve janë nxitja dhe amplifikimi i ndasive politike, sociale, etnike, fetare; minimi gradual i besimit në proceset, në sistemin demokratik, institucionet kombëtare e ndërkombëtare; përçarja e kohezionit kombëtar dhe midis vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së; manipulimi i perceptimit publik mbi to dhe paraqitja e modeleve të tyre qeverisëse si të suksesshme në menaxhimin e situatës në raport me shtetet perëndimore dhe organizmat ndërkombëtare.

KËRCËNIMET KIBERNETIKE NË SITUATËN E KRIJUAR NGA COVID-19

Pandemia COVID-19 dëshmoi se si një situatë me vëmendje kaq të madhe publike e ndërkombëtare mund të përdoret nga aktorët kibernetikë shtetërorë dhe jo-shtetërorë për spiunazh kibernetik, aktivitete infuencuese dhe krim kibernetik.
Aktivitetet online, shtetërore dhe jo-shtetërore, u përdoren edhe nga aktorët shtetërorë dhe krimi kibernetik si vektorë të rinj sulmi, për të arritur synimet e tyre. Risku i sulmeve kibernetike ndaj institucioneve në sektorët shëndetësorë, bankarë, të telekomunikimit dhe entiteteve politike vendimmarrëse, u rrit ndjeshëm. Aktorët kibernetikë shtetërorë e jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, kanë shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 edhe për të grumbulluar inteligjencë, me synim influencimin e opinionit publik sipas interesave të tyre. Shërbimet e inteligjencës së këtyre vendeve u angazhuan në operacione informative, grumbullim informacioni për synime konkurruese gjeostrategjike.
Kriminelët kibernetikë dhe shtete ose aktorë kibernetikë të mbështetur nga shtete, përdorën krizën, duke shfrytëzuar frikën e popullatës dhe nevojën për informacion, për të arritur qëllimet e tyre, duke përdorur fushata që lidhen me COVID-19. Puna e shtuar online e institucioneve shtetërore por edhe private, për shkak të situatës, dhe niveli i sigurisë që shpesh është më i ulët për shkak edhe të kohës së vogël në dispozicion për të përforcuar masat mbrojtëse, mundësuan vektorë shtesë sulmesh. Aktorët jo-shtetërorë dhe hakera kriminalë e shfrytëzuan situatën për aktivitete përfitimi.
SHISH-i bashkëpunon me autoritetet përgjegjëse për kërcënimet kibernetike dhe sugjeron, sipas specifikave të evidentuara, marrjen e masave përforcuese të sigurisë për mbrojtjen e rrjeteve elektronike nga sulme të mundshme kibernetike, qoftë për motive spiunazhi kibernetik, por edhe motive krimi kibernetik. Kalimi në shërbimet online në shumë sektorë bankarë e ekonomikë, do të rritë edhe kërcënimet kibernetike ndaj tyre. Çdo projekt digjitalizimi duhet shoqëruar me masat e duhura mbrojtëse.

NDIKIMI I COVID-19 NË AKTIVITETIN E ORGANIZATAVE TERRORISTE DHE EKSTREMISTE

Që me deklarimin e pandemisë nga Organiza-ta Botërore e Shëndetësisë, organizatat e dhunshme ekstremiste kanë parë mundësitë për të përfituar nga kriza, për qëllime propagande e indoktrinimi. Të dyja organizatat terroriste, ISIL/DAESH dhe Al-Qaeda, kanë pretenduar se virusi është “ndëshkimi i Zotit ndaj Perëndimit” dhe sëmundja “ushtar i Allahut”. Mesazhet e shpërndara nga media zyrtare e organizatave terroriste rreth COVID-19, që nxisin urrejtje dhe bëjnë thirrje për sulme, u shtuan. Propaganda ishte në një linjë me retorika të mëparshme nga këto grupime, që shpjegojnë fatkeqësitë natyrore në “vendet armike” si “vullnetin e Zotit”.
ISIL/DAESH vazhdoi të nxitë ndjekësit e tij të kryejnë sulme të vetmuara në Perëndim gjatë pandemisë, por mundësitë konkrete operacionale për të drejtuar aktivitetet terroriste jashtë rajonit të konfliktit kanë pasur kufizime të ndjeshme. Për shkak të masave kufizuese ndërkombëtare, u bë më e vështirë lëvizja e operativëve terroristë dhe materialeve logjistike për aktivitete terroriste nëpër kufij. Ndërkohë, ka vazhduar aktivitetin terrorist në rajonin e konfliktit në Siri, në Irak, Afganistan përmes degëve të saj, duke shfrytëzuar zonat me vakum sigurie.
Propaganda përmes internetit mbetet nga elementët më të përdorur nga organizatat terroriste me synim përhapjen e ideologjisë radikale, shtimin e radhëve të mbështetësve, rekrutimin e luftëtarëve të rinj, si dhe nxitjen e frymëzimin e individëve për planifikimin dhe kryerjen e akteve të terrorit. Kalifati virtual i pretenduar i organizatës vijon të mbetet ende aktiv, me përmbajtje të re propagandistike, por edhe me riciklim të materialeve të vjetra, me diskutime e debate në internet mbi çështje që shqetësojnë rrjetet mbështetëse radikale, e të tjera, që kanë si qëllim indoktrinimin dhe shtimin e radhëve të ndjekësve.

ROLI I TEORIVE KONSPIRATIVE NË TABLONË E EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM

Situata e shkaktuar nga COVID-19 dhe teoritë konspirative që e shoqëruan atë, luajtën rol edhe në tablonë ekstremiste të dhunshme, të motivuar ideologjikisht, në lulëzim të agjendave populiste e amplifikim të ekstremizmave të tjerë si nacionalist, racor dhe gjinor, të nxitur e mbështetur nga grupime të caktuara, të cilat rritën propagandën për përdorimin e dhunës si mjet për të nxitur ndryshimin që duan të shohin në shoqëri. Propaganda ekstremiste ka ndikuar shpesh në akte dhune ndaj forcave policore, kampeve të refugjatëve, akuza kundër politikave ndaj refugjatëve dhe emigrantëve si shkatërruese të homogjenitetit etnik.
Teoritë e konspiracionit përdoren për këtë synim, edhe për shkak se “janë tërheqëse” për ndjekësit në rrjetet sociale, duke ndikuar në uljen apo dobësimin e perceptimit publik në sistemet demokratike. Lëvizjet populise, por edhe ato civile anti-vaksinë, mund të përdorin situatën për të zgjeruar mbështetësit e tyre dhe për t’u faktorizuar më pas në shoqëri dhe skenën politike, duke çuar përpara agjendat e tyre.
Në vendet perëndimore, situata e COVID-19 u shoqërua me demonstrime të dhunshme ndaj autoriteteve policore e institucioneve shtetërore. Edhe në vendet e rajonit pati thirrje nga elementë e grupime të veçanta për të reflektuar demonstrimet e vendeve evropiane. Nuk përjashtohet manipulimi i mundshëm i tyre nga aktorë jo-perëndimorë për të shkaktuar destabilitet, fenomen i evidentuar në SHBA dhe vendet evropiane.

KËRCËNIMI TERRORIST NË RAJON DHE VENDIN TONË

Kërcënimi terrorist në Ballkanin Perëndimor (BP) dhe vendin tonë, gjatë vitit 2020, ka variuar nga i ulët në të mesëm, varësisht nga situata specifike kërcënuese. Në vend dhe rajon, nuk ka pasur akte terroriste, kurse synimet apo planet e mundshme për të ndërmarrë të tilla janë neutralizuar në faza të hershme nga autoritetet e sigurisë. Sulmet nga aktorët e vetmuar dhe grupe të vogla pa koordinim direkt me organizata terroriste mbeten potencialisht të mundshme.
Gjatë kësaj periudhe, nuk janë evidentuar raste të operativëve terroristë, që të kenë përdorur rrugën e emigracionit të jashtëligjshëm për të hyrë në rajon dhe vendin tonë, ndërkohë që rruga ballkanike vijon të mbetet një linjë e rëndësishme për emigracionin ilegal që shkon drejt Evropës. Nuk është i përjashtuar shfrytëzimi i kësaj rruge nga elementë apo operativë për synime e akte terroriste apo përdorim të vendit dhe rajonit me synim kalimin në vendet e BE-së për aktivitete terroriste.
Situata e familjarëve të luftëtarëve të huaj terroristë nga rajoni dhe vendi ynë në kampet kurde paraqitet e përkeqësuar. Organizata terroriste i braktisi banorët e të ashtuquajturit Shteti Islamik pa të ardhurat bazë për jetesë. Ndërkohë, tani që organizata ka nevojë për kapacitete njerëzore, u bën thirrje grupeve ekstremiste dhe operativëve lokalë të angazhohen në sulme për lirimin të tyre. Organizata synon të përdorë këtë potencial njerëzor për të fuqizuar grupimet terroriste me burime njerëzore. Kampet janë shndërruar në terren të përshtatshëm për aktivitete radikalizuese. Situata e vështirë humanitare në kampet e refugjatëve dhe të paraburgimit lehtëson radikalizimin e fëmijëve dhe familjarëve.
Risku i shfrytëzimit të hapësirave virtuale në rrjetet sociale nga grupe dhe individë me profil radikal e terrorist për të përhapur ideologjitë ekstremiste, si dhe për të rekrutuar persona të tjerë për grupet terroriste, mbetet i lartë për rajonin përgjithësisht, dhe për trojet shqipfolëse në veçanti. Gjuha shqipe zë një vend të konsiderueshëm në hapësirën online për sa u përket materialeve propagandistike. Propaganda në gjuhën shqipe, pavarësisht se ku dhe nga kush prodhohet, është një trafik me audiencë publikun shqipfolës në tërësi.
Individë e grupe të caktuara vijojnë ndjekjen e ligjëratave me përmbajtje ekstremiste e shpërndarje literature në grupe të vogla e kryesisht mes lidhjeve të tyre, si brenda vendit edhe me të tilla në rajon. Shtetasit e dënuar për terrorizëm dhe mbështetës të tyre në sistemin e burgjeve kanë vijuar të mbajnë profil radikal dhe me tendenca radikalizimi të të tjerëve. Futja e tyre nën regjimin “41 bis” ka si qëllim kryesor ndalimin e aktiviteteve radikalizuese, ndërprerjen e vijimit të aktivitetit të krimit të organizuar me orientime e koordinime nga të dënuar nga drejtësia për aktivitete kriminale të rënda jashtë sistemit penitenciar. Edhe pse vendosja nën këtë regjim e kësaj kategorie ka krijuar revolta e reagime në këtë sistem, vlerësohet i rëndësishëm aplikimi i këtij regjimi për kategoritë e përzgjedhura.

IMPAKTI NË EMIGRACIONIN E JASHTËLIGJSHËM

Në kushtet e mbylljes së kufijve për shkak të COVID-19, trendi i hyrjeve të jashtëligjshme u reduktua. Gjithashtu, rrjetet kryesore të mundësuesve/lehtësuesve të trafikut kryesisht e reduktuan aktivitetin e tyre. U vërejt prani e shtuar e klandestinëve në zonat urbane. Masat e vendosura nga shtetet e prekura nga pandemia për distancimin social, si dhe mbyllja e disa mjediseve të përdorura si pika takimi për emigrantët ose midis emigrantëve dhe lehtësuesve, sollën që pjesa më e madhe e ndërveprimit të kryhej online.
Aktiviteti i lehtësuesve dhe emigrantëve në rrjetet sociale u rrit, si për promovimin e “ofertës dhe kërkesës” dhe për marrjen e informacionit rreth pandemisë, se deri në çfarë grade u prekën shtetet e destinacionit apo tranzitit dhe mbi masat e ndërmarra nga autoritetet. Me lehtësimin e masave, prej fundit të muajit maj e vijim, numri i emigrantëve të ndaluar në territorin shqiptar, pësoi rritje.
Rrjetet kriminale, të cilët vlerësohen me lidhje brenda dhe jashtë vendit, vijojnë të shfrytëzojnë këtë kategori për kalime të jashtëligjshme përkundrejt përfitimeve financiare. Një pjesë e mirë orientohen nga këto rrjete nga jashtë vendit, nga origjina, në vendet tranzit deri në destinacion. Shtetas shqiptarë e të huaj, me ose pa bashkëpunim mes tyre, kanë favorizuar emigracionin e paligjshëm nëpërmjet prodhimit dhe shpërndarjes edhe të dokumenteve false.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, gjatë 2020-ës, një numër total prej 17,500 emigrantësh të paligjshëm kanë hyrë në Shqipëri. Numri më i vogël korrespondon me masat shtrënguese për shkak të pandemisë, më pas trendi fillon të ritet, me lehtësimin e masave shtrënguese. Ka dy qendra të dedikuara për emigrantët në vendin tonë, njëra e hapur dhe tjetra e mbyllur. Qendra e mbyllur përdoret për të mbajtur emigrantët me sfond të dyshimtë, me qëllim që të vijohet më tej me intervista dhe verifikime nga agjencitë e zbatimit të ligjit në bashkëpunim me Shërbimin. Numri i emigrantëve që kërkojnë azil është i ulët, kryesisht deklarojnë se nuk duan të qëndrojnë në vendin tonë, por e përdorin atë si rrugë tranzit drejt vendeve të BE-së.

IMPAKTI NË AKTIVITETIN E KRIMIT TË ORGANIZUAR

Në kushtet e pandemisë COVID-19, grupet e përfshira në krimin e organizuar në përgjithësi dhe të narkotrafikut në veçanti, ndryshuan mënyrat e veprimit në raport me masat kufizuese, për të pasur akses te financimet e aktivitetit kriminal, drogat apo ngarkesat me lëndë narkotike.
Lidhur me kultivimin e bimëve narkotike, vërehet se raporti kërkesë-ofertë që ka ndikuar në rritjen e çmimit dhe se kërkesat e grupeve kriminale, të rajonit e me gjerë, për kanabis sativa të kultivuar në Shqipëri, vijuan të nxisin dhe favorizojnë përfshirjen e individëve e grupeve kriminale shqiptare në këtë aktivitet, si brenda dhe jashtë vendit.
Nga sasitë e trafikuara të lëndës narkotike kanabis sativa, përkundrejt kultivimeve, kuptohet se ka ende në gjendje kanabis sativa të prodhimit të viteve të mëparshme, të fshehur në ambientet private të personave që posedojnë lëndë narkotike.
U evidentuan interesime dhe përpjekje të grupeve kriminale e individëve të përfshirë në këtë aktivitet antiligjor për përfshirje në kultivim të kanabis sativa. Për shkak të rritjes së masave anti kanabis në Shqipëri, vërehet prirja e kultivimit nga grupe e anëtarë të grupeve kriminale jashtë vendit në ambiente të mbyllura, ndërsa brenda vendit kultivimi u krye në zona të largëta, parcela të vogla dhe/ose ambiente të mbyllura, të përshtatura për këtë aktivitet, por edhe zhvendosje e këtij aktiviteti në vendet e rajonit.
Grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogave të forta jashtë vendit kanë vijuar aktivitetin duke ndryshuar metodat e veprimit varësisht situatës së kufizimeve, kanë shumëfishuar tipin e përfshirjes në kriminalitet, duke vazhduar përdorimin e sistemeve financiare për të fshehur financat e paligjshme dhe pastrimin e këtyre përfitimeve. Për shkak të mbylljes së kufijve ajrorë e tokësorë, anëtarët e grupeve kriminale tentuan rrugë të reja për të sjellë në Shqipëri të ardhurat e produktit kriminal.
Në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit” evidentohet e njëjta formë ligjore e regjistrimit të pasurive të luajtshme e të paluajtshme dhe aktiviteteve ekonomike, kryesisht në emër të familjarëve apo të tretëve, lidhje të afërta bashkëpunuese familjare dhe shoqërore. Përtej formave klasike tashmë të konkretizuara mbi përdorimin e parave të gjeneruara nga veprimtaria e kundërligjshme, evidentohet se subjektet lëndorë të AN janë më të kujdesshëm në realizimin e fazës së integrimit të vlerave monetare në fusha të ndryshme të ekonomisë.
Vijuan përpjekjet e subjekteve lëndorë për tjetërsimin “de jure” të titujve të pronësisë, te lidhje familjare apo lidhje të tyre shoqërore; nëpërmjet aktit të dhurimit; në disa “duar” nëpërmjet aktit të shitblerjes për t’u larguar nga origjinuesi; te bashkëshortët, duke zgjidhur më parë lidhjen martesore; me qëllim për të “shpëtuar” atë çfarë kanë “ndërtuar” me paratë e gjeneruara nga veprimtaria e kundërligjshme, duke synuar kamuflimin mbi qasjen e tyre para enteve publike e zyrtare, në funksion të mosgjurmueshmërisë, sekuestrimit e konfiskimit. Në të njëjtën mënyrë, është vepruar edhe me ndryshimet në aktivitetet ekonomike në zotërim të tyre.

IMPAKTI MBI KORRUPSIONIN

Edhe gjatë kësaj periudhe, korrupsioni ka vijuar në sistemin e drejtësisë, por edhe në disa sektorë të administratës shtetërore, ku konstatohet se palët ndërveprojnë të nxitura nga interesi i përfitimit të përbashkët.
Në sistemin e drejtësisë, punonjës të veçantë (prokurori/gjykata), janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në forma si: ushtrim i ndikimit të paligjshëm dhe ndërveprimit korruptiv, me qëllim lehtësimin e pozitës së të pandehurit, nëpërmjet ndryshimit të masës së sigurisë nga arrest me burg në arrest shtëpie ose duke aplikuar dhënien e dënimit alternativ.
Elementë të veçantë të këtij sistemi, të cilët janë në proces verifikimi të pastërtisë së figurës në kuadër të procesit të Vettingut, po e shfrytëzojnë këtë periudhë në funksion të përfitimit personal, duke shpërdoruar detyrën kundrejt ndërveprimit korruptiv, nëpërmjet dhënies së vendimeve gjyqësore në kundërshtim me parashikimet e akteve ligjore në fuqi.
Pastrimi i produktit të veprës penale, kontrabanda e mallrave të akcizës, evazioni fiskal dhe cenimi i sigurisë ushqimore, evidentohen si format më të përhapura të krimeve në ekonomi.
SHISH-i ndërvepron me agjencitë ligjzbatuese në funksion të bashkëpunimit ndërinstitucional, si pjesë e Komitetit Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar, lidhur me zbatimin e Aktit Normativ Nr. 1, datë 31.01.2020, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike”, si dhe në funksion të dhënies së mbështetjes informative për Operacionin Forca e Ligjit (OFL).

PRODUKTI INFORMATIV

Në përgatitjen e produktit informativ, krahas parametrave të lidhura me cilësinë dhe objektivitetin, SHISH-i i ka kushtuar vëmendje informacionit dinamik dhe në kohë, si dhe dobisë së tij për politikëbërësit, vendimmarrësit e nivelit strategjik dhe për institucionet e tjera shtetërore të sigurisë.
SHISH-i ka vazhduar të informojë autoritetet kryesore, si Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ministri të tjera. Bashkëpunimi dhe shkëmbimet e informacioneve me shërbimet e huaja partnere, në nivel strategjik apo operacional, mbi kërcënimet e përbashkëta është rritur dhe thelluar. Bashkëpunimi me institucionet e zbatimit të ligjit, si Policia e Shtetit, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), DPPPP, etj., është shtuar.
Produkti informativ i destinuar për autoritetet e larta shtetërore ka qenë me vlera informuese dhe njohëse mbi situata të caktuara dhe kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare, formave dhe prirjeve të tyre, ose ka paraqitur probleme specifike, i shoqëruar më parashikime dhe rekomandime. Ndërkaq, produkti për agjencitë ligjzbatuese ka qenë konkret, aktual dhe i dobishëm në evidentimin e veprimtarive të paligjshme.
Në terma statistikorë, SHISH-i ka prodhuar gjatë 2020-ës një total prej 4989 informacionesh për klientët brenda dhe jashtë vendit, shoqëruar me një rritje cilësore të këtij produkti final. Krahasuar me 2019-ën, ka pasur 595 produkte më tepër, ose 13% më shumë.
Për klientët brenda vendit, produkti informativ i SHISH-it ka shërbyer për informimin e institucioneve të larta të shtetit, konkretisht Presidentin e Republikës me 349 informacione, Kryeministrin e Shqipërisë me 435 informacione, Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme me 230 informacione, Ministrinë e Brendshme me 144 informacione, Ministrinë e Drejtësisë me 21 informacione, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me 15 informacione, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit me 15 informacione, Ministrinë e Mbrojtjes me 10 informacione dhe 27 informacione për ministritë e tjera sipas specifikës.
SHISH-i ka vijuar bashkëpunimin me institucionet në fushën e hetimit dhe zbatimit të ligjit, konkretisht me Prokurorinë, sidomos SPAK-un, Policinë e Shtetit, veçanërisht në kuadër të OFL, me DPPPP dhe me institucione të tjera.

NGRITJA DHE PËRMIRËSIMI I KAPACITETEVE TEKNIKE PËR T’U PËRBALLUR ME KËRCËNIMET AKTUALE DHE PERSPEKTIVE

Evoluimi i mëtejshëm i sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe telekomunikimit (IT&T) gjatë këtij viti, ka sjellë nevojën për qasjen dhe shfrytëzimin gjithmonë e më të madh të mundësive dhe teknikave të ofruara. Për të qenë në hap me këto zhvillime, SHISH-i ka vijuar zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve IT&T qoftë në pikëpamjen infrastrukturore, të burimeve njerëzore ashtu edhe në aspektin procedural e normativ.
Gjatë vitit 2020, SHISH-i ka vijuar digjitalizimin e proceseve të punës duke sjellë në këtë mënyrë lehtësira për punonjësit dhe duke rritur ndjeshëm shpejtësinë e ndërveprimit midis hallkave të ndryshme të cilat janë pjesë e proceseve. Digjitalizimi në përgjithësi është një proces i gjatë dhe i vështirë për t’u aplikuar, qoftë në aspektin teknik ashtu edhe në atë normativ.
Përparimi i ndjeshëm i arritur gjatë vitit 2020 në këtë drejtim, na detyron dhe motivon që të vijojmë më tej dhe me hapa të shpejtë e të sigurt me këtë proces të rëndësishëm të shekullit në të cilin jetojmë.
Gjatë vitit 2020, SHISH-i ka vijuar me përmirësimin e infrastrukturës IT&T, duke mbajtur hapin e zhvillimeve bashkëkohore të infrastrukturave IT&T dhe duke ruajtur një balancë të arsyeshme ndërmjet aplikimit të zhvillimeve të reja dhe praktikave më të mira në këtë fushë, duke i dhënë një rëndësi të veçantë aspekteve të sigurisë kibernetike, si pasojë e evoluimit dhe përdorimit gjithnjë e më të madh të hapësirës kibernetike e një game të gjerë kërcënimesh nga ky drejtim.
Në këtë aspekt, gjatë vitit 2020, SHISH-i ka aplikuar metoda dhe teknologji të reja në mbrojtjen e perimetrave dhe parandalimin e çdo situate katastrofike nga sulmet kibernetike, referuar edhe kërcënimeve të shfaqura rishtazi edhe si pasojë e situatës pandemike.
Gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019, është hasur një aktivitet i shtuar keqdashës dhe kërcënues drejtuar infrastrukturës publike të SHISH-it.
Me qëllim evidentimin e kërcënimeve dhe korrelimin e aktorëve dhe faktorëve keqdashës/ kërcënues, SHISH-i ka zhvilluar me tej kapacitetet në pikëpamjen e analizimit dhe inteligjencës së kërcënimeve kibernetike, duke aplikuar sisteme dhe platforma me burim të hapur të modifikuara përshtatshmërish, apo COTS (Commercial off-the-shelf).
Zhvillimet in-house, përdorimi/modifikimi i softuerëve me burim të hapur dhe COTS, si dhe aplikimi rigoroz i politikave dhe procedurave të sigurisë në lidhje me infrastrukturat IT&T kanë qenë ne fokus gjatë vitit 2020.
Ekipi IT&T në SHISH vijon vetëzhvillimin profesional, në mënyrë që të jetë i përditësuar dhe të mbajë ritmin e risive teknologjike dhe aplikimit të tyre në mënyrë të arsyeshme.

STRATEGJIA E SHISH-IT

Hartimi i Strategjisë së SHISH-it 2020- 2023 përbën një akt të rëndësishëm institucional, në kuadër të përpjekjeve të institucionit për të shfrytëzuar maksimalisht të gjithë kapacitetet në funksion të përmbushjes së misionit. Ndryshimet e vazhdueshme në mjedisin e sigurisë, të cilat ndikojnë në kohë prioritarizimin e sfidave, me të cilat përballet institucioni ynë, kërkojnë gjithashtu një qasje tjetër ndaj tyre. SHISH-i synon në mënyrë të vazhdueshme të jetë fleksibël dhe i adaptueshëm në gjet-jen e formave dhe metodologjive të punës, që i sigurojnë avantazhe në aktivitetet dhe veprimtaritë e tij.
Kjo strategji përfshin të gjitha aspektet e veprimtarisë së institucionit dhe mundëson vlerësime e planifikime të kapaciteteve për realizimin e misionit dhe objektivave të përcaktuara në dokumentet përkatëse si ai i Sigurisë Kombëtare, strategjitë e lidhura ngushtë me objektin e punës së SHISH-it dhe Prioritetet Vjetore të Kryeministrit. Ai ofron qasjen e një “biznes-plani”, që në themel për funksionimin me sukses të tij ka planifikimin me efikasitet edhe të kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore, të cilat është e nevojshme t’i zhvillojmë në frymën e perspektivës.
Në përmbushje të misionit - sigurimi në kohë i informacionit objektiv, cilësor dhe të dobishëm për autoritet e larta shtetërore vendimmarrëse, për rreziqe dhe kërcënime nga jashtë dhe brenda vendit, të drejtuara ndaj interesave dhe sigurisë kombëtare të vendit, të NATO-s dhe vendeve aleate - SHISH-i duhet të udhëhiqet nga vizioni - një shërbim inteligjent bashkëkohor, i adaptueshëm me mjedisin e sigurisë dhe me ndikim në forcimin e sigurisë kombëtare dhe kontribut në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.
Dy shtyllat kryesore në Strategjinë e SHISH-it prezantohen në përgjegjësitë për përmbushjen e misionit dhe instrumentet e politikat e forcimit të kapaciteteve organizative dhe funksionale të institucionit, të cilat përshkruajnë dhe përcaktojnë angazhimet në objektiva konkrete dhe specifike në përmbushje të misionit.
Mbështetur në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, strategjitë e tjera kombëtare dhe ndërinstitucionale, angazhimet ndërkombëtare të vendit, përgjegjësitë në përmbushje të misionit përcaktojnë nevojën për sigurimin e informacionit në kohë dhe objektiv, në përputhje me nevojat e vendimmarrjes politike dhe kontributit për institucionet ligjzbatuese, për sigurinë kombëtare, si dhe angazhimeve tona në kontributin për sigurinë ndërkombëtare.
Përgjegjësitë në përmbushje të misionit janë trajtuar në rrafsh horizontal, pa marrë përsipër prioritarizimin/klasifikimin e tyre, duke marrë në konsideratë procesin e prioritarizimit të tyre vjetor nga kryeministri dhe dinamikës në ndryshim të mjedisit të sigurisë.
Në përgjegjësitë në përmbushje të misionit të institucionit tonë janë përcaktuar kundërvënia ndaj:
- aktiviteteve të inteligjencës kundërshtare;
- ekstremizmit dhe terrorizmit;
- krimit të organizuar;
- krimit ekonomik dhe korrupsionit;
- proliferimit/Armëve të Dëmtimit në Masë (ADM-ve);
- kërcënimeve mjedisore;
- kërcënimeve të shëndetit publik;
- kërcënimeve kibernetike;
- kërcënimeve hibride;
- veprimtarive nga jashtë, që cenojnë sigurinë dhe interesat kombëtare.
Instrumentet dhe politikat e forcimit të kapaciteteve organizative dhe funksionale të institucionit, përcaktuar si mekanizma efektivë dhe orientues në realizimin e përgjegjësive në përmbushje të misionit, janë formuluar në plan strategjik dhe operacional, duke përfshirë të gjithë infrastrukturën dhe kapacitetet e burimeve njerëzore, me qëllim për të maksimalizuar shfrytëzimin me racionalitet dhe brenda planifikimeve buxhetore për periudhën afatmesme 2020- 2023. Si instrumente dhe politika të forcimit të kapaciteteve organizative dhe funksionale të institucionit janë përcaktuar:
- sigurimi i kontributit informativ, objektiv, cilësor dhe të dobishëm;
- rritja e kontributit në sigurinë kolektive;
- konsolidimi dhe zgjerimi i infrastrukturës operacionale;
- përmirësimi dhe zgjerimi i kapaciteteve analitike;
- thellimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit në kuadër të partneriteteve;
- menaxhimi dhe zhvillimi i burimeve njerëzore;
- zhvillimi i kapaciteteve IT&T;
- zhvillimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe analitike ndaj kërcënimeve kibernetike;
- politikëbërja në hartimin e legjislacionit;
- forcimi i qasjes me publikun.
Në procesin e implementimit të kësaj strategjie janë të angazhuara të gjitha njësitë, përfshi ato teknike-administrative, të cilat brenda kompetencave dhe autoritetit të tyre, kanë përgjegjësitë përkatëse në përmbushjen e misionit dhe të objektivave në lidhje me instrumentet dhe politikat e forcimit të kapaciteteve organizative dhe funksionale të institucionit. Të gjitha strukturat, sipas linjave të tyre, është e nevojshme të bashkëpunojnë dhe koordinojnë që, në mënyrë të integruar, të zhvillojnë qasjen ndaj qëllimit dhe synimit të përbashkët, për të krijuar sistemin më të mirë organizativ dhe funksional për arritjen me sukses të objektivave.
Instrumentet dhe politikat e forcimit të kapaciteteve organizative dhe funksionale të institucionit janë tërësisht në funksion të përmbushjes dhe realizimit të përgjegjësive të misionit, dhe si tregues të matshëm në zbatimin e kësaj strategjie, janë zbërthyer në objektiva specifikë dhe aktivitete që institucioni duhet të ndërmarrë në kuadër të një Plani Veprimi. Ky Plan Veprimi është dokumenti shtojcë që shoqëron strategjinë, i cili është përllogaritur të jetë brenda Kërkesave Buxhetore Afatmesme të SHISH-it, duke synuar jo vetëm maksimalizimin e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore, por edhe ato financiare. Kostot financiare janë në përputhje me tavanet e miratuara në Ligjin 58/2019 “Për buxhetin e vitit 2020” dhe kërkesat buxhetore të SHISH-it sipas dokumentit përfundimtar të PBA-së 2021-2023.

STRATEGJIA E BURIMEVE NJERËZORE 2020-2023

Po aq i rëndësishëm është edhe Strategjia e Burimeve Njerëzore 2020-2023 ku, për herë të parë, SHISH-i ka formuluar perspektivën e politikave të tij në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore, si një nga elementët thelbësorë në arritjen e suksesit. Mbështetur në “Strategjinë e SHISH-it 2020-2023”, në politikat mbi menaxhimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, qasja e re ndaj burimeve njerëzore ka qëllim jetësimin e këtyre politikave, përmes përcaktimit të objektivave strategjikë dhe specifikë. Një nga synimet kryesore, përcaktuar në këtë strategji është rekrutimi dhe zhvillimi i një stafi me kapacitet dhe ekspertiza të ndryshme, duke promovuar diversitetin, aftësitë profesionale, teknike, kulturore dhe punën në ekip, në përmbushjen e misionit.
Struktura e burimeve njerëzore është faktor i rëndësishëm i vendimmarrjes së institucionit dhe organizëm thelbësor në përcaktimin dhe aplikimin e proceseve menaxhuese dhe zhvilluese, për të garantuar efektivitetin e objektivave të institucionit. Vlerësimi i kapitalit njerëzor, si aspekt jetësor dhe thelbësor për performancën e institucionit, është në qasje me transformimin e vazhdueshëm konceptual dhe funksional të strukturave që merren me menaxhimin e tyre.
Kjo strategji do të kontribuojë në zhvillimin e një kulture të nxitjes së performancës së lartë të punonjësve, duke siguruar që institucioni të ketë punonjës me aftësi dhe specifika profesionale të duhura. Ajo do të inkurajojë një qasje profesionale dhe etike në menaxhimin e burimeve njerëzore, në të gjithë ciklin e jetës së tyre, si pjesë e SHISH-it.
Ndryshimet e vazhdueshme demografike, të cilat kërkojnë përmirësimin e metodologjive në tërheqjen, përzgjedhjen, rekrutimin dhe punësimin e punonjësve, sipas nevojave të punës; përmirësimi i sistemit të menaxhimit të punonjësve të rinj, duke krijuar qasje pozitive të tyre në mjedisin e ri të punës, kulturën specifike të mjedisit në të cilin operon SHISH-i; përmirësimi i sistemit të menaxhimit të performancës; krijimi i një sistemi planifikimi dhe zhvillimi të integruar, të qartë dhe organizuar, të nevojave për rritjen dhe aftësimin profesional; hartimi i politikave mbi diversitetin e stafit dhe përfaqësimin e balancuar të raporteve gjinore në komunitetin e inteligjencës; krijimi dhe zhvillimi i kulturës së lidershipit; etj., janë disa nga sfidat, mbi të cilat në këtë strategji janë përcaktuar dhe formuluar objektivat strategjikë dhe specifikë.
Sfidë dhe objektiv për të ardhmen është krijimi i një sistemi të integruar të menaxhimit me qasje të drejtpërdrejtë dhe unifikuar në kulturën dhe objektivat strategjike të institucionit. Zbatimi i politikave të institucionit është i lidhur ngushtë me objektivat sektoriale (në nivele njësish) për menaxhimin, zhvillimin dhe motivimin e burimeve njerëzore, përmes proce-seve transparente dhe profesionale, duke synuar qasje të plotë dhe qartë të tyre me politikat e institucionit.
Objektivat e formuluara në këtë strategji janë:
- Përmirësimi i proceseve dhe praktikave për përzgjedhjen, rekrutimin dhe punësimin;
- Përmirësimi i sistemit të menaxhimit të performancës;
- Transformimi konceptual dhe forcimi i strukturave të menaxhimit dhe zhvillimit të burimeve njerëzore
- Përmirësimi i shërbimeve;
- Përmirësimi i politikave dhe programeve për diversitetin e burimevbe njerëzore, veçanërisht përfshirja/angazhimi i grave në inteligjencë;
- Ndërtimi dhe zhvillimi i një stafi dhe sistemi menaxhimi profesional;
- Krijimi dhe zhvillimi i kulturës së lidershipit.

REKRUTIMET 2020

Për vitin 2020, vijuan procedurat e rekrutimeve bazuar në urdhrin e brendshëm përkatës mbi testimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve që pranohen si inspektorë në SHISH, i ndryshuar për shkak të pandemisë Covid 19.
Ky urdhër u përgatit pas një studimi paraprak të vendeve të lira që ishin në momentin e vlerësimit, në numrin mesatar të punonjësve që, për arsye familjare, shëndetësore e të ndryshme, mund të kërkojnë lirimin, në numrin e punonjësve që mbushin kriteret për pension pleqërie si dhe nevojat që ka SHISH-i për burime njerëzore me gjuhë të rrallë.
Rekrutimi i inspektoreve të terrenit, për vitin 2020, ka vijuar procedurat duke kaluar të gjitha fazat që përcaktojnë aktet ligjore e nënligjore, duke i renditur, si më poshtë:
- Ngritjen e Komisionit të Pranimit (KP), për kryerjen e të gjitha procedurave të nevojshme, për përzgjedhjen e kandidatëve (aplikantëve) që do të punësohen në SHISH.
- Përcaktimin e procedurës dhe punës, hartimin e kritereve, kërkesave dhe afateve që duhet të plotësojnë kandidatët (aplikantët) që do të konkurrojnë për inspektorë në SHISH.
- Shpalljen e nevojave për punonjës në media si dhe në faqen zyrtare të internetit te SHISH-it, mbledhjen e dokumentacionit të kandidatëve (aplikantëve) në njësinë e burimeve njerëzore, përgatitjen e statistikave të plota dhe të detajuara për të dhënat e të gjithë kandidatëve.
Ka pasur një zgjatje periudhe rekrutimi nga afati i parashikuar, kjo referuar akteve ligjore te Ministrisë se Shëndetësisë periudhën COVID 19.
Kandidatët që plotësonin kriteret, iu nënshtruan testimit me shkrim dhe me gojë sipas kritereve të përcaktuara në urdhrin e Drejtorit të SHISH-it.
Rezulton se kanë aplikuar gjithsej 277 veta.
Në testimin me shkrim u miratuan për të marrë pjesë gjithsej 244 aplikantë që plotësonin kriteret e parashikuara ne urdhrin e Drejtorit të SHISH-it.
Morën pjesë në testimin me shkrim gjithsej 231aplikantë.
Në testimin me gojë morën pjese 111 kandidatë.
Vlerësimi përfundimtar u bazua në pikët e marra në dy fazat e testimit, pra u mor si vlerësim përfundimtar shuma e pikëve të testimit me shkrim dhe testimit me gojë, për secilin aplikant.
Në përfundim të procesit, aktualisht vazhdojnë kursin bazë 9-mujor për inspektorë 44 kandidatë.

TRAJNIMET

Pavarësisht vështirësive që solli pandemia e COVID-19, Qendra e Trajnimit të SHISH-it, ka vijuar aktivitetin duke realizuar 25 trajnime specializimi në të cilat janë trajnuar 336 punonjës të SHISH, 44 punonjës të SHÇBA-së, 10 punonjës të AISM-së. Disa nga këto trajnime janë realizuar në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, si Akademia e Sigurisë, AISM-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP). Gjithashtu, janë realizuar 4 trajnime të formimit bazë profesional, ku janë trajnuar në total 99 punonjës nga të cilët 88 punonjës të SHISH-it dhe 11 punonjës të AISM-së.
Njëkohësisht, ka vijuar bashkëpunimi në organizimin e trajnimeve me partnerët tanë, ku veçojmë gjatë vitit 2020, zhvillimin e një sesioni online lidhur me ecurinë dhe treguesit e programit të trajnimit të organizuar në bashkëpunim me OSBE/UNODC dhe ICITAP, gjatë viteve 2018- 2020, në të cilin ekspertë të SHISH-it kanë marr pjesë si trajnues kombëtarë.
Ky program trajnimi është përqendruar në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe në të kanë marr pjesë 4 punonjës të SHISH-it. Programi organizohet nga Departamenti i Sekretariatit të OSBE-së për Kërcënimet Transnacionale, në bashkëpunim me Programin Global të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) Programi Global kundër Pastrimit të Parave (GPML), Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe me mbështetjen e Programit Ndërkombëtar të Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal (ICITAP), të Departamenti të Drejtësisë (DOJ) të Shteteve të Bashkuara.

QENDRA E TRAJNIMIT

SHISH-i i kushton vëmendje të veçantë trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm të punonjësve të tij. Ekuilibri, profesionalizmi dhe udhëzimet e lidershipit orientojnë veprimin tonë.
Ligji nr. 9357, datë 17.03.2005 “Për Statusin e Punonjësit të SHISH-it”, përcakton në nenin 13/e se, ndër detyrat kryesore të punonjësit të SHISH-it është rritja e aftësive profesionale të tij dhe marrja pjesë në veprimtari trajnuese. Gjithashtu, neni 30/c përcakton se, punonjësi i SHISH-it ka të drejtë të trajnohet, të kualifikohet dhe të ndjekë studimet, brenda e jashtë vendit, me leje të Drejtorit.
SHISH-i ka qendrën e tij të trajnimeve. Qendra e Trajnimit të SHISH-it është krijuar me VKM Nr. 410, datë 15.09.1992, “Për krijimin e Institutit të Shërbimit Informativ Kombëtar”.
Veprimtaria e saj normohet nga VKM Nr. 1400, datë 17.10.2008, “Për organizimin e kurseve në SHISH dhe trajnimin e pjesëmarrësve”, i ndryshuar me VKM Nr. 474, datë 25.07.2012, e cila përcakton se: “Në Institutin e Shërbimit Informativ të Shtetit (Instituti i SHISH-it) të organizohen kurse, për përgatitjen informative e formimin bazë profesional, si dhe kurse kualifikimi dhe specializimi të punonjësve të SHISH-it, në funksion të sigurisë kombëtare. Lloji dhe kohëzgjatja e kurseve përcaktohen me urdhër të drejtorit të SHISH-it”.
Misioni i Qendrës së Trajnimit përfshin:
- Përgatitjen profesionale dhe formimin bazë të punonjësve të rinj të SHISH-it.
- Kualifikimin profesional dhe specializimin e vazhdueshëm të punonjësve në detyrë të SHISH-it.
- Përhapjen e përvojave dhe teknikave të reja profesionale, me qëllim rritjen e efikasitetit përkundrejt kërcënimeve “të reja”, veça-nërisht ato që rëndojnë mbi sistemin ekonomiko-financiar, hapësirën kibernetike dhe infrastrukturat e tjera kritike. Për këtë qëllim, bashkëpunohet edhe me organizatat homologe jashtë vendit.
Qendra e Trajnimit, me qëllim përhapjen dhe promovimin e kulturës së sigurisë, bashkëpunon edhe me institucionet e tjera të administratës publike dhe të arsimit në vend.

GRATË NË KOMUNITETIN E INTELIGJENCËS

Në realizimin me sukses të detyrave që i ngarkohen një pjesëtari të komunitetit të inteligjencës, është shumë i rëndësishëm roli i familjes. Vështirësia dhe specifika e veprimtarive në mbrojtje të sigurisë kombëtare është e tillë, që kërkon durim, mirëkuptim e ndihmë nga njerëzit e afërt. Prej vitesh, situata në çështjet e inteligjencës e të sigurisë kombëtare, për sa i përket ndarjes së roleve, ka ndryshuar, duke mos qenë më punë ekskluzivisht për burra. Gradualisht, koleget tona, jo vetëm janë shtuar në numër brenda radhëve të Shërbimit Informativ të Shtetit, por kanë marrë gjithnjë e më tepër përgjegjësi ndër më të spikaturat.
Prej më shumë se 3 vjetësh, qasja e ekipit drejtues të SHISH-it ka qenë e fokusuar, jo thjesht drejt barazisë gjinore apo diskriminimit pozitiv për gratë, por në krijimin e shanseve të barabarta për punësim e karrierë. Mbështetja dhe promovimi i grave në pozicione drejtuese është vënë re se e ka përmirësuar më tej mjedisin pozitiv të punës që mbizotëron në institucionin tonë.
Përveç barazisë në paga dhe dhënies së mundësive të promovimit në karrierë, gratë në pozicione drejtuese kanë demonstruar sens të lartë përgjegjshmërie, përkushtim në realizimin e detyrave, kryerjen e disa detyrave njëkohësisht, rezultate në menaxhimin e grupeve të punës dhe njësive të ndryshme, si dhe kanë dhënë zgjidhje profesionale për shumë nga problemet në ndjekje, duke sjellë perspektiva, aftësi dhe këndvështrime të ndryshme për zgjidhjen e problemeve. Me një sens tjetër ndjeshmërie dhe me qasje më të ndryshme nga burrat, gratë mund të dallojnë dhe identifikojë hollësi më të imta dhe më të ndryshme nga meshkujt, që vlejnë për situata të ndryshme operative dhe të sugjerojnë zgjidhje inovative dhe efektive.
SHISH-i ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, duke promovuar dhe emëruar në pozicione të rëndësishme drejtuese zonja. Aktualisht, 25% e numrit total të punonjësve të SHISH janë gra ndërsa, për herë të parë, kemi 30 zonja në pozicione drejtuese, numër ky dy herë më i lartë krahasuar me pak vite më parë.
Megjithatë, mbetet ende shumë për t’u bërë, që kjo frymë të përhapet edhe në njësitë tona rajonale, me qëllim dhënien e mundësive dhe kombinimin e roleve drejtuese në të gjithë Shërbimin. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e punës në terren, në qytete e zona të vogla, ku presioni negativ, paragjykimi dhe elementë të tjerë të trashëguar të shoqërisë, mund të jenë frenues për shumë gra e vajza për t’iu bashkuar Shërbimit Informativ. Por vizioni i drejtuesve është që ky proces të vijojë pa ngurrim e pa paragjykime, mbështetur në strategji e plane veprimi, për ta pasuruar Shërbimin me gra e vajza të përkushtuara për t’u bërë pjesë e misionit tonë.

AKTIVITETI FINANCIAR I SHISH-IT

Shërbimi Informativ i Shtetit, gjatë vitit 2020, ka administruar një buxhet në shumën 1,69 miliard lekë nga 1,63 miliard vitin e kaluar. Për periudhën 2017 deri më 2020, trendi buxhetor është në rritje, duke përballuar në këtë mënyrë, kërkesat në rritje për fonde, si përgjigje ndaj veprimtarive më të sofistikuara që cenojnë sigurinë kombëtare.
Në çdo vit, pjesën më të madhe të buxhetit të SHISH-it e zënë shpenzimet për paga dhe sigurime për personelin, si një faktor i rëndësishëm për motivimin dhe përthithjen e kategorive më efektive të burimeve njerëzore. Në vijim të aplikimit të politikave për nxitjen e burimeve njerëzore, në vititn 2019, me VKM nr.259, datë 24.04.2019, pagat në SHISH patën një rritje rreth 17.7%.
Gjatë vitit 2020, fondet për mallra dhe shërbime janë menaxhuar më së miri në plotësimin e nevojave për shpenzime të sektorit operativ, por edhe të gjitha materialeve dhe shërbimeve të domosdoshme për punën e punonjësve. Gjithashtu, janë mirëmbajtur sisteme të rëndësishme që kontribuojnë drejtpërsëdrejti në realizmin e produktit informativ.
Në vitin 2020, u evidentuan objektet e dëmtuara nga tërmeti dhe u kryen të gjitha procedurat e nevojshme deri në sigurimin e fondeve për rehabilitimin e tyre, e finalizuar me VKM nr.48, datë 27.01.2021, “Për përdorimin e Fondit Rindërtimit, për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit/riforcimit të objekteve në administrim të Shërbimit Informativ të Shtetit, në bashkitë Durrës dhe Lezhë”.

(Pjesë nga Raporti Publik Nr. 3, Viti 2020)