RADIKALIZIMI DREJT EKSTREMIZMIT TË DHUNSHËM

Komunitetet zyrtare islame në rajon dhe vendin tonë e kanë dënuar hapur dhunën dhe ekstremizmin në emër të besimit fetar, por vlerësojmë se duhet të bëjnë më shumë në kundërvënien ndaj narrativës së ekstremizmit e terrorizmit, si dhe të edukimit të klerikëve të linjës zyrtare që përfaqësojnë. Përfaqësues e mbështetës të linjave e shkollave radikale, kryesisht nga vende arabe, përpiqen të ndërhyjnë dhe ndikojnë nën mbulesë fetare e humanitare mbi komuniteteve fetare, duke shfrytëzuar nevojat financiare të tyre.
Disa organizata në rajon, të përfshira në aktivitete radikalizmi, janë mbyllur ose pezulluar. Numri i ambienteve private të përdorura si objekte kulti jashtë juridiksionit të komuniteteve fetare, është reduktuar falë masave nga qeveritë dhe komunitetet zyrtare fetare. Implementimi i strategjive kundër ekstremizmit të dhunshëm, mekanizmat e krijuara në zbatim të Planit të Masave referuar këtyre strategjive kanë filluar të japin efektet parandaluese. Të dënuarit për terrorizëm vijojnë të mbajnë profil të lartë dhe me tendenca aktivitetesh radikalizuese ndaj të burgosurve të tjerë. Radikalizimi në burgje mbetet fenomen shqetësues e sfidë afatgjatë, duke mbajtur parasysh kthime të mundshme të Luftëtarëve të Huaj Terroristë (LHT) dhe të familjarëve.

“MODUS OPERANDI” E ORGANIZATAVE TERRORISTE

Nga karakteristikat e evidentuara në synimet apo planet për akte terroriste në rajon dhe vendin tonë, veçojmë:
1. Thirrje, nxitje, koordinim nga LHT në terren të lidhjeve të tyre të vjetra në vendin e origjinës.
2. Aktivizim i ish-LHT të kthyer, kryesisht nga radhët e atyre që vijojnë të mbajnë profil radikal e vijojnë të jenë ndjekës të propagandës e ideologjisë ekstremiste.
3. Aktivizim për mbështetje logjistike të individëve me sfond radikal mbështetës të linjave ekstremiste që deklarojnë ose pretendojnë përkatësi fetare.
4. Udhëzime në rrjetet sociale të komunikimit të sigurt dhe aktivizim online të disa elementëve të nivelit të dytë për nga rrezikshmëria, duke shfrytëzuar mbështetës të ideologjive ekstremiste fetare.
5. Synime/plane për kryerjen e sulmeve përveç shtetit të origjinës, edhe në një shtet tjetër kufitar.

EMIGRACIONI I JASHTËLIGJSHËM

Rruga ballkanike vijon të mbetet linjë e rëndësishme për emigracionin ilegal që shkon drejt Evropës. Në këtë kuadër, Shqipëria vijon të mbetet vend tranzit për kalimin e emigrantëve të paligjshëm. Fluksi i emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë nëpërmjet kufirit të gjelbër, në jug dhe juglindje të Shqipërisë, ka shënuar rritje. Rrjete të trafikut njerëzor po përdorin këtë kontingjent për kalime të paligjshme kundrejt përfitimeve financiare, nga kufiri i gjelbër përgjatë lëvizjes në vende të ndryshme, duke iu mundësuar pajisjen me dokumente false, lehtësi dhe udhëzime për itinerarin.
Vërehet rritje e rasteve të organizimit të emigracionit të paligjshëm nga persona e grupe, që orientojnë emigrantët e paligjshëm nga llogari të ndryshme në rrjetet sociale kundrejt pagesës. Ka të dhëna për favorizim të emigracionit të paligjshëm nga organizata të deklaruara si humanitare, të cilat organizojnë trafikun e klandestinëve nga Turqia drejt Greqisë, Shqipërisë dhe më pas drejt Evropës Perëndimore.
Masat e përforcuara të sigurisë kufitare, bashkëpunimi i suksesshëm me Frontex, kanë lehtësuar monitorimin e fluksit të emigracionit të jashtëligjshëm. Vlerësojmë se, nuk përjashtohet mundësia e shfrytëzimit të kësaj rruge, me dokumente false të siguruara nga krimi i organizuar, për infiltrim operativësh terroristë me synim kalim transit drejt v e n d e v e perëndimore dhe testim të përdorimit të kësaj rruge nga terroristët.
Në një rast, një ish-operativ terrorist i kërkuar nga INTERPOL, u ndalua për hyrje të paligjshme në vendin tonë përmes kufirit të gjelbër me Greqinë. Pavarësisht identiteteve të shumta të përdorura nga operativi, agjencitë ligjzbatuese shqiptare, në bashkëpunim me partnerë rajonalë dhe evropianë, arritën ta identifikonin dhe ndalonin. Ndalimi prej agjencive ligjzbatuese u pasua nga procedurat e ekstradimit.

AKTIVITETI I SHËRBIMEVE TË INTELIGJENCËS ME QËNDRIM JOMIQËSOR

Shërbimet e inteligjencës së shteteve kundërshtare të aleancës euroatlantike, proceseve euro-integruese të rajonit dhe vendit tonë, vijojnë aktivitetin e tyre konstant dhe me tendenca rritje në momente zhvillimesh të rëndësishme që lidhen me proceset integruese por edhe me problematika ndërshtetërore të bartura. Përveç metodave klasike të grumbullimit të inteligjencës, nëpërmjet angazhimit të personelit të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, vërehen tendenca rritjeje dhe ndërthurja e metodave klasike me ato hibride.

ÇFARË JANË AKTIVITETET HIBRIDE?

Aktivitetet hibride në tërësinë e tyre janë një kombinim i metodave të mbyllura me ato të hapura, konvencionale me ato jokonvencionale dhe përfshijnë dezinformim, propagandë, sulme kibernetike, grumbullim informacioni sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes/aksesit në rrjete kompjuterike në format e spiunazhit kibernetik, aktivitete/operacione influencuese informative dhe psikologjike, presion ekonomik. Metodat hibride po zbehin kufijtë mes paqes dhe luftës, shpejtësia, shkalla dhe intensiteti i tyre kanë njohur rritje vitet e fundit. Këto aktivitete po përdoren jo vetëm nga aktorë shtetërorë por edhe nga aktorë jo-shtetërorë që veprojnë si të tretë, për përfitime financiare, me aktivitet të koordinuar apo kryer për llogari të shteteve/shërbimeve të tyre të inteligjencës. Mënyrat e angazhimit variojnë për nga shkalla e përfshirjes, kompleksitetit dhe sofistikimit.
Aktivitetet e natyrës hibride përdoren për synime të caktuara politike/gjeopolitike e gjeoekonomike dhe kanë si objektiv kryesor të shkaktojnë destabilitet në një shtet kundërshtar, varësi politike dhe ekonomike. Kërcënimet e natyrës hibride kanë marrë një dimension tjetër që, për nga shkalla, po zëvendësojë metodat klasike të grumbullimit të inteligjencës, favorizuar nga zhvillimi i teknologjisë së informacionit, kostos më të ulët në krahasim me angazhim agjentësh inteligjence, mundësisë së shpërndarjes për një publik më të gjerë dhe impaktit më të madh.
Shtetet kundërshtare/shërbimet e tyre të inteligjencës identifikojnë dobësitë në fushën diplomatike, politike, sociale, ekonomike, financiare, ushtarake, inteligjencës dhe në infrastrukturën e vendit kundërshtar dhe në përputhje me këto, përgatisin planet për implementimin e aktiviteteve hibride, bazuar në situatën specifike sociale, ekonomike dhe politike të një vendi të caktuar. Aktivitetet e hapura influencuese mund të jenë operacione informative që lidhen me propagandën, dezinformacionin dhe në përgjithësi me ndikimin e publikut në shtetet me interes.

(Pjesë nga Raporti Vjetor 2019)