ZHVILLIMET IT&T DHE DIGJITALIZIMI

Evoluimi i mëtejshëm i sistemeve të teknologjisë së informacionit e telekomunikimit (IT&T) dhe mundësitë e ofruara nga shfrytëzimit i hapësirës kibernetike gjatë vitit 2019, ka sjellë nevojën për qasjen dhe shfrytëzimin gjithmonë e më të madh të këtyre mundësive dhe teknikave nga ana e institucionit. Për të qenë në hap me këto zhvillime, SHISH-i ka vijuar zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve IT&T, qoftë në pikëpamjen infrastrukturore, të burimeve njerëzore, ashtu edhe në aspektin procedural e normativ.
Gjatë 2019-ës, SHISH-i vijoi me një digjitalizim të disa proceseve të punës, duke sjellë lehtësira për punonjësit dhe rritur ndjeshëm shpejtësinë e ndërveprimit midis hallkave që janë pjesë e proceseve. Digjitalizimi është proces i gjatë dhe i vështirë për t’u aplikuar, si në aspektin teknik ashtu edhe në atë normativ. Përparimi i ndjeshëm i arritur gjatë 2019-ës në këtë drejtim, na detyron dhe motivon të vijojmë më tej dhe me hapa të shpejtë e të sigurt me këtë proces të rëndësishëm të shekullit ku jetojmë.
Gjatë vitit 2019, SHISH-i vijoi me përmirësimin e infrastrukturës IT&T, duke mbajtur hapin e zhvillimeve bashkëkohore të infra-strukturave IT&T dhe duke ruajtur një balancë të arsyeshme mes aplikimit të zhvillimeve të reja dhe praktikave më të mira në këtë fushë, duke i dhënë rëndësi të veçantë aspekteve të sigurisë kibernetike. Gjatë vitit 2019, SHISH-i ka aplikuar metodave dhe teknologji të reja në mbrojtjen e perimetrave dhe parandalimin e çdo situate katastrofike nga sulmet kibernetike. Në 2019-n, krahasuar me vitin 2018, u vu re aktivitet i shtuar keqdashës dhe kërcënues drejtuar infrastrukturës publike të SHISH-it.
Me qëllim evidentimin e kërcënimeve dhe korrelimin e aktorëve dhe faktorëve keqdashës/kërcënues, SHISH-i ka zhvilluar më tej kapacitetet në pikëpamjen e analizimit dhe inteligjencës së kërcënimeve kibernetike, duke aplikuar sisteme dhe platforma me burim të hapur të modifikuara përshtatshmërish.
Gjatë vitit 2019, SHISH-i ka vijuar më tej me zhvillimin e burimeve njerëzore, ku është arritur një nivel i kënaqshëm i përshtatjes në kohë dhe cilësi me ndryshimet teknologjike, ku vlen të theksohet kapaciteti i implementimit, administrimit dhe zhvillimit të platformave “Private Cloud”, duke reduktuar kostot në investim, mirëmbajtje dhe konsulencë për infrastrukturën IT&T dhe mbrojtjen e saj. Zhvillimet in-house, përdorimi/modifikimi i softuerëve me burim të hapur si dhe aplikimi rigoroz i politikave dhe procedurave të sigurisë në lidhje me infrastrukturat IT&T kanë qenë ne fokus edhe gjatë vitit 2019. Ekipi IT&T në SHISH vijon vetëzhvillimin profesional në mënyrë që të jetë i përditësuar dhe të mbajë ritmin e risive teknologjike dhe aplikimit të tyre në mënyrë të arsyeshme.

LAJMI I RREMË DHE KËRCËNIMI PËR SIGURINË KOMBËTARE

Dukuria e lajmit të rremë po shihet sot në botë si një kërcënim serioz ndaj demokracisë. Krijimi dhe përhapja e lajmeve të rreme ka nxitur tension mes njerëzve e grupeve, manipulim fushatash politike, përhapje të propagandës së grupeve radikale e terroriste apo ndihmë të tërthortë për individë dhe grupe kriminale. Lajmi i rremë mund të çojë në kaos, panik, akte terrori, dhunë dhe lloje të tjera reagimesh që dëmtojnë individin, shoqërinë dhe institucionet shtetërore. Të gjitha këto, janë arsye të vlefshme për të bërë rregullime të nevojshme në mediat sociale.
Çfarë mund të quhet lajm i rremë?
Problemi i përkufizimit është se lajmi i rremë mund të marrë shumë forma, të prodhohet nga shumë autorë, të ketë arsye nga më të ndryshmet. Llojet më të përhapura të lajmeve të rreme janë:
- ato me përmbajtje sensacionale, të prirura nga gjenerimi i trafikut në rrjet për arsye tregtare
- ato me motive ideologjike, me synim ndikimin mbi njerëzit
- ato që kategorizohen si keqinformime shtetërore, me informacione të përziera, të vërteta dhe të rreme

Tiparet e lajmit të rremë
Lajmi i rremë synon të prekë zemrat dhe mendjet e lexuesve, të kryejë një shpëlarje të tërthortë truri mbi individë dhe grupime, duke i bërë të besojnë diçka që nuk është e vërtetë. Lajmi i rremë zakonisht shkruhet me fjalë superla¬tive dhe sensacionale, për të nxitur përgjigje emocionale nga lexuesi, një formë manipulimi kjo që ka infiltruar në mediat sociale aq gjerësisht dhe aq shpejt saqë e kanë bërë të vështirë edhe punën e specialistëve për të identifikuar buri¬met e besueshme të lajmeve nga ato që përhapin lajme të rreme. Tipar tjetër është se këto lajme të rreme krijohen nga faqe të errëta, për t’u përhapur më pas nga mediat sociale nga mbështetës të vetëdijshëm të këtyre lajmeve apo nga lexues të pafajshëm që nuk mund ta dallojnë nga lajmet e vërteta. Janë krijuar platforma specifike që përdoren për të shënjestruar rajone të caktuara gjeografike, përkatësi fetare, gjinore, arsimore dhe socio-ekonomike, me mesazhe që depërtojnë deri te publiku i dëshiruar.

Si cenohet siguria nga lajmet e rreme?
Kriminelët e hapësirës kibernetike e shfrytëzojnë këtë fushë të gjerë mundësish jo vetëm për ta shndërruar në biznes fitimprurës përhapjen e lajmit të rremë. Lajmet e rreme të përhapura nga entitete shtetërore mund të cenojnë sigurinë kombëtare të shteteve të tjera duke ndikuar në opinionin e gjerë publik atje, apo mbi vendimmarrjen e institucioneve. Kështu, problem tashmë i identifikuar në botë është përdorimi i lajmeve të rreme në fushata zgjedhore nga aktorë brenda apo jashtë vendit. Kurse në vendin tonë janë vërejtur përhapje lajmesh të rreme më tepër për qëllime përfitimi financiar apo kredoje politike e sociale.

Çfarë bën SHISH-i kundër kësaj dukurie?
Qeveritë, kompanitë, përdoruesit po zgjohen lidhur me atë se sa serioz është sot manipulimi i opinionit, i shfaqur në formën e lajmit të rremë. Edhe qeveria shqiptare ka nisur ta pohojë faktin që lajmi i rremë është diçka që duhet luftuar aktivisht. Këtij qëndrimi i janë bashkuar edhe institucione dhe agjenci të ndryshme qeveritare, të cilat po punojnë për vendosjen e rregullave mbi përhapësit e informacionit dhe ndëshkimin e përhapësve të lajmeve të rreme. Edhe SHISH-i po punon në këtë drejtim. SHISH-i mbledh informacion edhe nga burimet e hapura, çka do të thotë se ndeshet përditë me informacione të rreme që kanë depërtuar në këto burime. Sfida që paraqesin lajmet e rreme për ana-listët e inteligjencës është, në fakt, procesi i dallimit të lajmit të rremë nga lajmi që vjen prej burimeve të besueshme, në përpjekje për të nxjerrë informacione cilësore nga kanalet e burimeve të hapura. Vështirësia qëndron te identifikimi, analizimi dhe pengimi i përhapjes së lajmit të rremë, për të parandaluar ndikime të padëshirueshme apo të dëmshme mbi sigurinë kombëtare. Njësitë tona të specializuara për burimet e hapura përditësojnë vazhdimisht njohuritë, duke identifikuar faqe sociale dhe portale që e përdorin më së shumti prodhimin dhe përhapjen e lajmit të rremë për qëllime të pandershme fitimprurëse apo ndikimi politik dhe duke kuptuar mekanizmat e funksionimit të kësaj dukurie.
Dallimi mes lajmit të vërtetë dhe atij të rremë nuk është gjithmonë aq i lehtë. Për këtë arsye, punonjësit në SHISH dhe kandidatët për punonjës, iu nënshtruan në 2019 një trajnimi të posaçëm kushtuar lajmit të rremë, rrezikut të tij dhe mënyrave për ta identifikuar e penguar përhapjen e tij. Puna e SHISH-it kundër lajmeve të rreme, ndjek masat e ndërmarra nga shërbimet partnere të vendeve të NATO-s dhe BE-së, të cilët punojnë për të dhënë sinjale të qarta paralajmëruese në betejën për dallimin mes së vërtetës dhe së rremes, sipas ligjit dhe parimeve kushtetuese dhe nevojën për balancë mes dy interesave në përplasje: nevojës për të shmangur efektet e padëshirueshme të kësaj dukurie, në dobi të procesit të vendimmarrjes dhe procesit demokratik, dhe nevojës për ruajtjen e vlerave demokratike.

(Pjesë nga Raporti Vjetor 2019)