BASHKËPUNIMI BRENDA DHE JASHTË VENDIT

Në kuadër të realizimit të detyrave ligjore dhe prioriteteve, gjatë kësaj periudhë SHISH ka forcuar bashkëpunimin me institucionet dhe agjencitë ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale e antiligjore, të tilla si:
- terrorizmi ndërkombëtar
- trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike
- rrjetet e favorizimit të emigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore
- pastrimi i produktit kriminal
- kontrabanda dhe evazioni fiskal
- korrupsioni në nivele të larta në adminis¬tratën shtetërore dhe në sistemin e drejtësisë etj.
Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese gjatë 2019 ka sjellë rezultate konkrete dhe të matshme në luftën ndaj krimit të organizuar, që është konkretizuar e finalizuar me opera¬cione dhe rezultate konkrete

Bashkëpunimi ndërkombëtar
SHISH-i, në kuadër të interesave të ndërsjella, ka fuqizuar më tej marrëdhëniet me shërbimet informative partnere, ka thelluar bashkëpunimin ekzistues, ka krijuar bashkëpunime të reja dhe ka rritur kontributin me analiza e vlerësime për strukturat e inteligjencës dhe sigurisë së NATO-s, BE-së etj.
Gjatë 2019-ës, është rritur në mënyrë të ndejshme shkëmbimi i informacionit në nivel strategjik dhe operacional. Fokusi kryesor për 2019 ka vijuar të jetë bashkëpunimi në fushën e kundërzbulimit, kryesisht në drejtim të veprimtarive të shërbimeve sekrete jo-miqësore ndaj vendit tonë dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut, krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe drogave të forta, veprimtarive të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, etj.
Nisur nga pozicioni strategjik i vendit tonë në rajon, SHISH-i ka synuar dhe realizuar thellimin e bashkëpunimit informativ-operativ në nivel rajonal, për çështje që lidhen me sigurinë rajonale, krimin e organizuar, terrorizmin etj. Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, SHISH-i ka organizuar konferenca rajonale në nivel ekspertësh, ku është shkëmbyer ekspertizë për krimin e organizuar, emigracionin e paligjshëm dhe sfidat e shërbimeve të inteligjencës për parandalimin e goditjen e këtyre fenomeneve. Bashkëpunimi ndërkombëtar është thelluar në nivel drejtuesish e ekspertësh, në takime në formate dy e shumëpalëshe, si dhe duke qenë pjesë aktive e konferencave dhe seminareve ndërkombëtare të sigurisë dhe inteligjencës.
Shërbimi ka vijuar gjithashtu të japë kontributin e tij në takime plenare të formateve shumëpalëshe rajonale e ndërkombëtare, të tilla si “SEEIC”, “MEC”, “ADRIACLUB” etj., ku janë trajtuar probleme të kërcënimeve nga terrorizmi, emigracioni i paligjshëm, siguria energjetike, veprimtaria e aktorëve të tretë dhe shërbimeve tyre të inteligjencës në rajon etj. Vlen të theksohet kontributi i SHISH-it, në kuadër të Komitetit të Inteligjencës Civile të NATO, me kontribute konkrete në fushën e terrorizmit në Ballkanin Perëndimor, veprimtaritë e shërbimeve kundërshtare dhe proxit e tyre, aktivitetet hibride etj.
Në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, SHISH-i ka rritur numrin e përfaqësuesve, duke atashuar oficerë ndërlidhës në shtete me të cilat ndajmë sfida dhe kërcënime të përbashkëta. Kjo ka ndikuar në rritjen dhe rritur thellimin e bashkëpunimeve si dhe forcimin e marrëdhënieve me shërbimet informative të shteteve ku janë akredituar.
Në këtë kuadër, SHISH-i ka thelluar bashkëpunimin informativ e operacional edhe nëpërmjet koordinatorëve të SHIVH-ve, të akredituar në vendi tonë.
Nisur nga qasja dhe ekspertiza rajonale, SHISH-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol pozitiv në sigurinë rajonale, në luftën ndaj ekstremizmit e terrorizmit dhe ka marrë në vijimësi “feedback” pozitiv nga shërbimet partnere.

(Pjesë nga Raporti Vjetor 2019)