Punësimi
Punësimi në SHISH bëhet në bazë të nevojave të Shërbimit. Procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është mjaft rigoroz. Vendimet për punësimin në SHISH bazohen në vlerësimet për aftësitë e kandidatit, njohuritë, kapacitetet intelektuale, etj.
Pranimi kalon në fazat e shqyrtimit dhe verifikimit paraprak të dokumentacionit, të testimit me shkrim dhe intervistës me gojë.
Kriteret e punësimit:
- të jetë shtetas shqiptar;
- të jetë jo më pak se 18 vjeç;
- të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
- të përmbushë kërkesat ligjore për nivelin arsimor;
- të jetë i aftë nga ana shëndetësore;
- të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një krimi;
- të mos jetë marrë ndaj tij masa disiplinore e largimit nga administrata shtetërore për shkak të një shkelje të rëndë disipline;
- të plotësojë kërkesat specifike të vendit të punës për të cilin konkurron, si njohjen e një ose disa gjuhëve të huaja, njohuritë e mira të punës në kompjuter, etj.
Personat që punësohen në SHISH, krahas kërkesave të përgjithshme, duhet të plotësojnë kushtin e sigurisë dhe disa kërkesa të veçanta për punë specifike. Verifikimi i kushtit të sigurisë zbatohet ndaj personit, i cili kërkon të punësohet në SHISH, si dhe për lidhjet e tij me personat e familjes ose jashtë saj.
Personat që nuk plotësojnë kushtin e sigurisë nuk mund të lidhin marrëdhënie pune me SHISH-in.
Punonjësi që punësohet në SHISH i nënshtrohet periudhës së provës prej një viti nga data e emërimit.
Lutemi vini re: Shërbimi Informativ i Shtetit nuk është i detyruar ta sqarojë shtetasin për shkaqet, për të cilat ai nuk është pranuar në punë.