Menu:

Te Reja:

Shtator, 2008:
-

Korrik,, 2008:
-

Djetor, 2007:
96 Vjetori i SHISH

Qershor, 2006:
SEEIC MEC meeting

»

Vështrim i shpejtë mbi krijimin dhe ndryshimin e shërbimit sekret të shetit shqiptar
që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 1912

Që nga viti 1912 kur Shqipëria u shpall shtet i lirë dhe i pavarur duke deklaruar shkëputjen e çdo lloj lidhjeje me Perandorinë Osmane të asaj kohe, data më e vjetër e krijimit të Shërbimit Sekret të shtetit shqiptar është 17 dhjetori i vitit 1912.

Qeveria e Ismail Qemalit e zgjedhur pas shpalljes së pavarësisë më 28 nëntor 1912, në kuadër të masave komplekse ushtarake, mobilizuese, diplomatike e vepruese, mori vendim më 17 dhjetor 1912 për krijimin e një shërbimi të fshehtë për viset e banuara prej shqiptarëve.

Siç shkruhet fjalë për fjalë në pikën 6 të vendimit të qeverisë së Ismail Qemalit: “ Të organizohet një shërbim i msheftë
për vise të shkeluna të Shqipërisë”.

Këto të dhëna i përkasin Fondit nr.145 në Arkivin Qendror të Shtetit dhe i përkasin Kryesisë të Përkohshme të Vlorës, viti 1912, dosja II-2 “Vendime dhe Proces-Verbale të Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës mbi çështjen politike, ushtarake dhe financiare”.

Krijimi i Shërbimit të Fshehtë Shqiptar nuk u la vetëm në letër, por për organizimin e tij u ngarkuan persona kokretë ndërmjet të cilëve Lef Nosi e Bajram Curri.

Për funksionimin e këtij Shërbimi ka të dhëna edhe pas ardhjes së pric Vilhelm Vidit si sundimtar i Shqipërisë i vendosur nga “Konferenca e Paqes në Londër” në vitin 1913.

Në Historinë e Shqipërisë, botuar nga Tajar Zavalani, Londër 1966, kapitulli II, faqja 236, gjejmë të dhëna për zbulimin, kapjen dhe ekzekutimin e një agjenti të fshehtë të një qeverie të huaj, që vepronte në Shqipëri në vitin 1913, kur ishte ende në fuqi qeveria e Ismail Qemalit.

Vazhdimësinë e shërbimit sekret shqiptar e shohim përsëri pas Luftës së Parë botërore dhe largimit të princ Vidit nga Shqipëria. Statuti i Lushjes i hartuar në Kongresin Kombëtar të Lushnjes më 21 janar 1920, risanksionoi ndarjen e pushteteve, ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe ndër të tjera u krijua Ministria e Brendshme, pjesë e së cilës ishte edhe Shërbimi Sekret. Ministër i punëve të brendshme u caktua Ahmet Zogu.

Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar që në periudhën dhjetor 1944 - mars 1945 i kushtoi rëndësi të veçantë krijimit të Organeve të Sigurimit të Shtetit (Historia e Shqipërisë, tekst i shkurtuar, botimet Pegi, Tiranë 2006).

Sigurimi i Shtetit e ka fillesën e tij që më 20 korrik të vitit 1943 kur nga Këshilli i Përgjithshëm Nacional Çlirimtar u vendos krijimi i Organeve të Sigurimit të Shtetit. Në radhët e tij u vendosën njerëzit më të besuar të regjimit komunist. Sigurimi i Shtetit ishte strukturë e përfshirë në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Pas vitit 1990, në kuadrin e ndryshimeve cilësore që ndodhën me vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, Organet e Sigurimit të Shtetit u reformuan plotësisht duke iu përshtatur kërkesave të shtetit ligjor. Kështu në vitin 1991 u krijua Shërbimi Informativ Kombëtar, me ligjin nr.7495, datë 02.07.1991 “ Për organizimin e Shërbimit Informativ Kombëtar”. Detyrë parësore e këtij Shërbimi u vendos, parandalimi, zbulimi e ndërprerja e çdo veprimtarie antikushtetuese që cënon lirinë, pavarësinë, aftësinë mbrojtëse, tërësinë territoriale dhe pasurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë. SHIK u krijua si një  institucion i depolitizuar dhe si i tillë ai u ka pësuar vazhdimisht ndryshime të herëpashershme.

Në vitin 1999 me vendimin nr. 61, datë 22.11.1999 të Gjykatës Kushtetuese të RSH, SHIK ndryshon emërtimin nga Shërbimi Informativ Kombëtar në Shërbimi Informativ Shtetëror.

Në vitin 2005 miratohet ligji nr. 9357, datë 17.03.2005 “Për statusin e punonjësit të Shërbimit Informativ Shtetëror”.
Për realizimin e detyrave të tij Shërbimi Informativ Shtetëror ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe të lirive të individit.

Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së këtij institucioni.